Kupchan: Do të ishte e çuditshme që Kosova dhe Serbia të kthehen...

Kupchan: Do të ishte e çuditshme që Kosova dhe Serbia të kthehen nga SHBA-ja pa asgjë

19.06.2020 09:00:58

Eksperti i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Charles Kupchan, beson se në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë në Washington, delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, mund të dalin me një marrëveshje paraprake, që i hapë rrugë marrëveshjes finale.

Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Kupchan, tha se beson se një takim i këtij formati, do të ishte e çuditshme që të organizohej në rast se gjithsecili, në fund, do të kthehej në shtëpi pa pasur çfarë të prezantojë.

Me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë takohen delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë për të nisur një raund të ri negociatash të mbështetura nga SHBA-ja. Kjo po ndodh në një kohë kur edhe Bashkimi Evropian i ka intensifikuar përpjekjet për t’i kthyer palët në tavolinën e bisedimeve. Cila është pikëpamja juaj sa i takon takimit të 27 qershorit?

Charles Kupchan: Mendoj se shumë gjëra po bashkohen për të përcaktuar pistën për takimin. Njëra është ndryshimi i qeverisë në Kosovë ku e kishit kryeministrin (Albin) Kurti, një person që ishte më ngurrues sa i takon dialogut dhe që nuk ishte i gatshëm që të largonte sanksionet tregtare që ishin vendosur ndaj Serbisë. Ne ende nuk e dimë saktësisht se ku qëndron në disa çështje të ndryshme kryeministri i ri, zoti (Avdullah) Hoti. Ai ka bërë një deklaratë që dukej se shfaqte distancë mes tij dhe presidentit (Hashim) Thaçi, por Thaçi qartësisht vazhdon të jetë në kontroll dhe në udhëheqje të negociatave me Beogradin. Pra, një çështje është se ju keni një ndryshim të qeverisë dhe ju keni edhe largimin e tarifës, që hapin derën për të lëvizur.

E dyta është se (Richard) Grenelli ka lënë pozitën e ambasadorit në Gjermani dhe ai nuk ka më kohë dhe energji që t’ia dedikojë Ballkanit dhe qartësisht është duke u futur në atë çështje.

E treta, mendoj se presidenti (Donald) Trump, do të ishte i lumtur që të kishte një fitore, një lloj përparimi diplomatik në orën e tij, sepse ai nuk ka pasur shumë sukses në diplomaci.

Derisa Mirosllav Lajçak erdhi në Kosovë të martën në përpjekje për të ringjallur negociatat për normalizim të raporteve, nuk është e qartë nëse do të jetë një dialog i ndarë në dysh apo proceset do të plotësojnë njëri-tjetrin. Cili do të jetë roli i BE-së në këto bisedimet që do të ndodhin pas pak ditësh në Washington?

Charles Kupchan: Mendoj se jemi dëshmitarë se si dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është duke u shndërruar në një grackë, që do ta cilësoja si pika më e ulët e raporteve mes SHBA-së dhe BE-së në shumë dekada, mbase që nga Lufta e Dytë Botërore. Nuk është sekret që administrata e presidentit (Donald) Trump ka marrë një pikëpamje në raport me Evropën që shumica e evropianëve e konsiderojnë të vështirë edhe kur bëhet fjalë për tregti, ndryshime klimatike apo edhe marrëveshja bërthamore me Iranin. Dhe Grenell, derisa ishte ambasador në Gjermani, ishte gati person “non-grata” në Gjermani sepse shumica e gjermanëve e konsideronin atë të padobishëm dhe thjesht nuk mund të mbështetësin në mënyrën se si ai kryente punët.