Ndërkombëtarët vihen në lëvizje për krizën, Kim dhe Soreca takojnë Ramën e Bashën, SHBA ultimatum opozitës për reformën zgjedhore

20.05.2020 10:03:12

Rikthimi i përplasjeve politike në vend ka vënë në lëvizje faktorin ndërkombëtar. Opozita joparlamentare braktisi tryezën e reformës zgjedhore dhe nisi sulmet ndaj qeverisë duke dhënë sinjale për një krizë të re në horizont. Për shkak të kësaj situate ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar dje një takim me kryeministrin Edi Rama, ndërsa mësohet se fokusi i bisedës ka qenë pikërisht aktualiteti politik në vend. Ndërkohë, më shumë dritë rreth takimit 60 minutëshe që pati me shefin e qeverisë shqiptare, hodhi vetë ambasada e SHBA në një postim në faqen zyrtare në “Facebook”. Ambasada e theksoi se zonja Yuri Kim u takua me zotin Rama për të diskutuar mbi ngjarjet e fundit, ndërsa i ka kërkuar këtij të fundit që qeveria të jetë sa më bashkëpunuese. Por ajo që bie në sy është fakti se ambasadorja Kim i ka dërguar një ultimatum opozitës për reformën zgjedhore, duke i kërkuar që të rikthehet në tryezën e Këshillit Politik. “Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim u takua sot me kryeministrin Rama për të diskutuar mbi ngjarjet e fundit. Ambasadorja theksoi rëndësinë që ka gjithëpërfshirja dhe diskutimet e mirëmenduara në qeverisje, në përputhje me statusin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe vend që synon anëtarësimin në BE. Ata u pajtuan se është thelbësore që Shqipëria të vijojë në rrugën e saj drejt arritjes së dakordësisë për reformën zgjedhore dhe masave të tjera që u janë premtuar qytetarëve të Shqipërisë”, thuhet në njoftim. Po ashtu, ambasada e SHBA në Tiranë bëri me dije së në ditët në vijim ambasadorja Kim do të zhvillojë një takim me kryedemokratin Lulzim Basha. “Ambasadorja Kim do të takohet edhe me kreun e PD-së Basha së shpejti”, deklaroi ambasada e SHBA në Tiranë.

Soreca takon Bashën, kreu i PD zbulon detaje nga takim

Por tensionimi i situatës politike pas prishjes së Teatrit Kombëtar, ka vënë në lëvizje trupin diplomatik në vendin tonë. Trojka e Ambasadorëve të Bashkimit Europian të udhëhequr nga ambasadori Luigji Soreca u takuan mëngjesin e djeshëm me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe me disa nga krerët e partive të opozitës së bashkuar, ku kanë diskutuar për më shumë se 90 minuta. Asnjë nga ambasadorët nuk u prononcua për mediat, ndërsa Lulzim Basha, pasi i shoqëroi deri në dalje, theksoi se takimi në fokus kishte kushtet e BE-së për integrimin, dhe situatën ekonomike. “Në vend që të ecej në drejtim të plotësimit të 15 kushteve për hapjen e negociatave, që janë edhe hapa për të dalë nga kriza në vend, Shqipëria po bën hapa mbrapa. Për shkak të Edi Ramës kriza po thellohet, veprimet e javës së fundit dhe veprimet e javëve të fundit po e thellojnë edhe më shumë krizën politike, po e largojnë edhe më shumë Shqipërinë nga Europa. Opozita mbetet e përkushtuar për ecjen e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian dhe në plotësimin e 15 kushteve sepse kjo është mënyra e vetme për t’iu shërbyer njerëzve. Çështja e dytë ka qenë çështja e ekonomisë, ku Shqipëria për shkak të vendimeve të Edi Ramës për t’i çuar paratë edhe në kohë pandemie te një grusht oligarkësh me afera korruptive dhe jo tek njerëzit në nevojë, si rezultati i kësaj shumica dërrmuese e shqiptarëve gjenden në kushte pamundësie ekstreme”, deklaroi ai. Ndërkohë, në kushtet kur opozita ka braktisur Këshillin Politik, kryedemokrati Lulzim Basha në interes të medias, theksoi se Partia Demokratike do të bëjë gjithçka për kryerjen e kësaj reforme dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira. “Vullneti nuk mund të shprehet me fjalë, vullneti shprehet me vepra. Dhe veprat e javës së kaluar tregojnë se kjo qeveri nuk ka asnjë vullnet për reformën zgjedhore. Kurrë më shumë se sot topi nuk ka qenë në derën e Partisë Socialiste, ajo është përgjegjëse për refuzimin e propozimeve tona deri tani; ajo është përgjegjëse për krijimin e një klime penguese për reformën zgjedhore. Ne nga ana jonë do të bëjmë gjithçka që t’i japim shqiptarëve një orë e më parë, ashtu siç e kemi premtuar, kushtet më të mira për zgjedhje dhe rastin më të parë për t’iu drejtuar kutive të votimit”, nënvizoi kryedemokrati Lulzim Basha.