Ndërron jetë ish-presidenti i Izraelit Shimon Peres

28.09.2016 09:49:17

Shimon Peres, i cili ka shërbyer dy herë si kryeministër i Izraelit dhe një mandat si president, ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare. Peres u shtrua dy javë më parë në një spital në Tel Aviv, pasi vuante nga ishemia.

Fillimisht u raportua se gjendja e tij po përmirësohej, por të martën ai pati një përkeqësim të gjendjes shëndetësore. Djali i tij Chemi drejtoi homazhet për një nga themeluesit e shtetit të Izraelit. Ai tha për të atin: “Ka punuar pa u lodhur”.

Peres ka fituar edhe Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1994, për rolin e luajtur në negociatat për marrëveshjen e Oslos, ku u arrit paqja me palestinezët një vit përpara vlerësimit. Atë çmim ai e ndau me kryeministrin Yitzhak Rabin, i cili u vra më vonë në atentat, por edhe me udhëheqësin palestinez, Yasser Arafat.

Politikani veteran izraelit ka mbajtur thuajse çdo post të rëndësishëm zyrtar, që prej themelimit të Izraelit në vitin 1948.