Ndryshimi i Kushtetutës, Kryemadhi: Parlamenti të kthehet në ligjshmëri

16.01.2018 12:24:48

Opozita paraqiti ditën e djeshme në Kuvend një amendament me 50 firma, ku kërkohet ndryshim në Kushtetutë për mënyrën se si zgjidhet Kryeprokurori.

Lidhur me nismën, akordi për të cilën do të largonte automatikisht nga detyra Arta Markun, ka qenë edhe kryefjala e bashkëbisedimit të kryetares së LSI, Monika Kryemadhi me gazetarët.

Kryemadhi u shpreh se nisma e opozitës synon ta kthejë Parlamentin në shina, dhe të shmang kapjen e reformës në drejtësi nga kryeministri Edi Rama.

“Dje opozita u tregua e përgjegjshme dhe serioze, pavarësisht se mazhoranca përpiqet ta quajë si një kartë politike. Por nuk mund të jetë e tillë kur mazhoranca nuk pranon të ulet dhe ta lexojë këtë nismë. Ne kërkuam kthimin e Parlamentit në ligjshmëri. Ne jemi të sinqertë në propozimet tona, nuk kemi asnjë lloj karte politike, duam të zbatohet reforma në drejtësi, i vetmi që e ka kapur këtë reformë për interesat e veta, është Edi Rama. Ne duam që termi Prokuror i Përkohshëm të përfshihet në Kushtetutë. Jemi të gatshëm për t’u ulur dhe për ta futur vendin në shina politike”, tha Kryemadhi.

Ajo shtoi më tej se partitë opozitare do të konsultohen për hapat në vazhdim nëse mazhoranca nuk e merr në shqyrtim amendamentin e paraqitur prej tyre.

“Nuk ka arsye që mazhoranca të mos marrë përsipër shqyrtimin e amendamentit tonë për KLGJ dhe KLP. Nëse Partia Socialiste nuk e merr në konsideratë, do të tregojë se sekti kriminal i Rilindjes është kundër reformës në drejtësi”, deklaroi kryetarja e LSI.