Në 244 vjetorin e Pavarësisë së SHBA, Kosnett: Qëndruam bashkë për ta bërë Kosovën të pavarur

04.07.2020 10:48:52

Ambasada e Shteteve të Bashkuara  në Kosovë sivjet feston 244 vjetorin e Ditës së Pavarësisë së kombit  me temën “Ne jemi me ju”, duke i falënderuar qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj ‘të cilat bashkëpunojnë me ne dhe përpiqen ta bëjnë Kosovën një vend ku paqja, drejtësia dhe mirëqenia mbizotërojnë’.

Në komunikatën e Ambasadës së ShBA, thuhet se përderisa COVID-19 vazhdon të ndikojë në botë, pritja jonë tradicionale është zëvendësuar për t’u shënuar në mënyrë virtuale për shkak të masave të sigurisë personale dhe për ta mbajtur distance sociale.

Me rastin e 244 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se “ne qëndruam së bashku për ta bërë Kosovën të pavarur”.

Ai ka thënë se populli i SHBA-ve dhe i Kosovës kanë shumë vlera dhe atribute të përbashkëta, njofton Klan Kosova.

“Në Amerikë si në çdo vend, demokracia nuk është një sport spektatorësh. Demokracia kërkon angazhim dhe këmbëngulje aktive të qytetarëve. Gjithashtu kërkon ndershmëri dhe përulësi për të adresuar dobësitë tona dhe për të mësuar nga dështimet tona”.

“Kjo është një kohë trazirash dhe ankthi në Amerikë – por edhe një kohë shprese. Shpresoj se një ndryshim i pakthyeshëm, pozitiv mund të vijë me një qytetari të angazhuar. Dhe e njëjta gjë mund të thuhet për Kosovën”.

“Populli i Shteteve të Bashkuara dhe i Kosovës kanë shumë vlera dhe atribute. Populli ynë është i fortë dhe i zgjuar, krijues dhe i dhembshur, i shkathët dhe elastik. Si miq dhe partnerë, ne i jemi përgjigjur njëri-tjetrit kur kemi pasur nevojë. Ne qëndruam së bashku për ta bërë Kosovën të pavarur, pas sulmeve të 11 shtatorit, në luftën kundër terrorizmit global”.