Në AAK thonë se nuk do të ketë vakuum institucional

29.07.2019 19:34:02

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit Drejtues dhe të Kryesisë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, mbajti sot mbledhjen e Këshillit Drejtues dhe të Kryesisë, nën kryesimin e kryetarit të partisë, Ramush Haradinaj, ku të pranishëm ishin edhe kryetarët e degëve.

Siç bëhet e ditur në njoftim, në këtë mbledhje u diskutua për zhvillimet politike në vend si dhe caktuan shtabin zgjedhor për zgjedhjet  e jashtëzakonshme në vend pas dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit, shkruan lajmi.net.

Sipas njoftimit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shprehu besimin e plotë  që kjo gjendje do të tejkalohet duke u bazuar në Kushtetutën dhe ligjet në fuqi si dhe nuk do të ketë vakum institucional.

“Forumet e partisë shprehen vullnetin e madh që AAK të garojë e vetme në këto zgjedhje por duke mos përjashtuar bashkëpunimet me partitë që kanë orientime politike të njëjta”, thuhet në njoftim.

Këshilli  Drejtues në takim votoi për emërimin e Albena Reshitaj  nënkryetare të AAK-së si dhe të Bajram Hasanit anëtar i Kryesisë.