Në Aleppo vriten edhe fëmijë, mbyllen spitalet

20.11.2016 10:41:43

Nga sulmet intensive ajrore dhe të shtënat e artilerisë janë vrarë një numër njerëzish në qytetin Aleppo të Sirisë, duke nxitur dënimin nga vendet perëndimore.

Observatori sirian për të Drejtat e njeriut, me seli në Londër, tha se të paktën 48 persona janë vrarë, përfshirë edhe 5 fëmijë, në pjesën e Aleppos që kontrollohet nga rebelët nga sulme të shumëfishta ajrore dhe granatat e artilerisë.

Observatori tha se me viktimat e fundit numri I përgjithshëm i të vrarëve nga bombardimet e shtuara në Aleppo dhe në rajonet në afërsi në pesë ditët e fundit ka arritur në 180, përfshirë edhe 97 në rrethinën e qytetit.

Sulmet ajrore dhe bombardimet kanë goditur edhe spitalet në Aleppon lindore, duke bërë që të mbyllen të gjithë objektet mjekësore në rajon.

Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, Susan Rice, tha se SHBA-ja dënon “fuqishëm” sulmet e fundit ajrore ndaj spitaleve dhe i ka bërë thirrje Rusisë, një aleati të presidentit të Sirisë Bashar al-Assad, që të ndërmarrë masa për të parandaluar dhunën, transmeton REL.

“SHBA-ja sërish i bashkohet partnerëve të saj … në kërkesën për ndalimin e menjëhershëm të këtyre bombardimeve dhe i bën thirrje Rusisë që menjëherë të ulë dhunën dhe të lehtësojë ndihmat humintare si dhe qasjen drejt qytetarëve të Sirisë”, tha Rice në një deklaratë.

Sekretari i jashtëm britanik, Boris Johnson në rrjetin social Twitter ka shkruar se sulmet ajrore që godasin civilët dhe spitalet janë “të neveritshme’ dhe ka bërë thirrje për kthim në diplomaci.

Elizabeth Hoff, përfaqësuese e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Siri, tha se grupi I agjencive të OKB-së për ndihmat, të vendosur në afërsi të kufirit në Turqi, “ka konfirmuar se të gjtiha spitalet janë jashtë shërbimit”.

Më 18 nëntor, bombradimet nga forcat qeveritare të Sirisë, pjesërisht shkatërruan një nga siptalet e fundit në Aleppon lindore, duke vrarë pacientë dhe duke e detyruar të mbyllet.

Forcat qeveritare siriane filluan sulmin e ri mbi pjesën që kontrollohet nga rebelët në Aleppo më 15 nëntor, në një përpjekje të re për të rimarrë gjithë qytetin.

Qyteti është ndarë ndërmjet qeverisë që kontrollon perëndimin dhe rebelëe që kontrollojnë lindjen që prej mesit të vitit 2012.

Më shumë se 250 mijë qytetarë kanë mbetur në pjesën e kontrolluar nga rebelët, që është rrethuar nga regjimi që prej korrikut.