Në bazë të perceptimit, korrupsion ka në të gjitha anët e Kosovës

24.10.2016 13:45:18

Korrupsioni është një nga problemet më të rëndësishme me të cilat ballafaqohet vendi ynë, i cili ka goditur shumë sfera të kësaj shoqërie. Ky fenomen radhitet për nga rëndësia menjëherë pas papunësisë.

Kështu u tha sot në konferencën e mbajtur për media nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim i cili ka lansuar botimin special të Pulsit Publik për korrupsionin, i cili është bërë përmes projektit Përkrahje Përpjekjeve Kundër Korrupsionit në Kosovë, shkruan lajmi.net

Raporti ka analizuar të mbledhurat nga anketa me 1300 respondentë dhe janë gjetur shifra të rëndësishme sa i përket korrupsionit dhe pasojave të tij.

Nga këto anketa ka dalë se luftimet e korrupsionit nuk janë efektive dhe se institucioni i Policisë së Kosovës mbetet burimi më i sigurt, ku qytetarët raportojnë për rastet e korrupsionit.

Petrit Skenderi, këshilltar në projektin Përkrahje Përpjekjeve Kundër Korrupsionit në Kosovë, duke raportuar për të gjeturat e anketës ka thënë se faktorët më të rëndësishëm që e shkaktojnë korrupsionin në Kosovë janë jo efektshmëritë e sistemit gjyqësor, të cilat gjithashtu janë të ndjekura nga dëshira e pasurimit të shpejtë personal nga njerëzit që janë në pozita udhëheqëse.

Sa i përket çështjes se në cilat institucione ka më shumë korrupsion, të anketuarit janë përgjigjur se korrupsioni është më i madh në partitë politike, që pasohen nga Kuvendi dhe nga institucionet tjera të nivelit qendror si: Drejtësia dhe Shëndetësia.

Këto shifra, sipas zyrtarëve që analizuan anketat janë të dhëna që korrespondojnë edhe me ato të viteve të kaluara. Kjo tregon që nuk ka përmirsim sa i përket çështjes së korrupsionit në vend. /lajmi.net