Në Gjilan u nënshkrua Memorandumi i mirëkuptimit për angazhimin e komunitetit në fushën e parandalimit të radikalizimit

05.04.2017 13:18:28

Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit, Ambasadën italiane dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për angazhimin e komunitetit në fushën e parandalimit të radikalizmit.

Në ceremoninë e nënshkrimit, ministri i Punëve të Brendshme, z. Skender Hyseni, tha se është përzgjedhur komuna e Gjilanit që të jetë e para në këtë pilot-projekt dhe ky bashkëpunim ka dalë shumë i suksesshëm.

Ai theksoi se parandalimi i ekstremizmit dhe akteve tjera të dhunës është i rëndësishëm si për vendin tonë, ashtu edhe për rajonin.

“Duhet të bëjmë gjithçka që të ruhet karakteri sekular i shoqërisë sonë, ta ruajmë dhe ta kultivojmë atë sepse kështu do të formohet një shtet demokratik i cili do t’i bashkëngjitej klubit të vendeve përparimtare me shoqëri demokratike”, tha ministri Hyseni.

Ai përgëzoi nënshkrimin e këtij memorandumi të mirëkuptimit, duke falënderuar pjesëmarrësit për bashkëpunim e në veçanti qeverinë italiane në përkrahjen e Kosovës në luftimin e këtij fenomeni.

Kryetari i komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri në emër të qytetarëve të Gjilanit falënderoi ICITAP-in, UNDP-në dhe MPB-në për përkrahjen e dhënë në ngritjen e kapaciteteve në luftimin e ekstremizmit.

Ai tha se në sajë të këtij bashkëpunimi kanë dalë rezultatet e para pozitive në parandalimin e ekstremizmit në komunën e Gjilanit.

“Uroj që ky bashkëpunim të shkojë më tutje që Gjilani të jetë një vend i qetë dhe i sigurte për qytetarët, e që të gjitha format e ekstremizmit të jenë në nivel zero”, tha z. Haziri.

Ndërsa, ambasadori i Italisë në Republikën e Kosovës, z. Piero Cristoforo Sardi, tha se angazhimi i përbashkët në këtë pilot-projekt është tregues se ka bashkëpunim shumë të mirë në mes të dyjave vendeve.

“Të gjithë qytetarët e Evropës janë të kërcënuar nga terrorizmi dhe kjo është një brengë e jona e përbashkët. Parandalimi i ekstremizmit është më një rëndësi të madhe për Kosovën, prandaj keni përkrahjen e shtetit italian në këtë drejtim”, tha ambasadori Sardi.

Zëvendës-paqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, znj. Alessandra Roccasalvo, tha se Republika e Kosovës ka treguar një kurajë të madhe në luftimin e ekstremizmit dhe kjo vlerësohet shumë.

Ajo tha UNDP do të vazhdojë të përkrahë edhe në projektet tjera në të ardhmen.

Qëllimi i këtij Memorandumi është që të ofrojë kornizën e bashkëpunimit dhe të lehtësojë bashkëpunimin ndërmjet Palëve, mbi baza jo-përjashtuese, në fushat e interesit të përbashkët. Aktivitetet e zbatuara në bazë të këtij Memorandumi priten të kenë ndikim pozitiv në fuqizimin e kapaciteteve të Komunës për parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.