Në institucionet e shëndetit mendor, të rriturit dhe të miturit bashkë

08.01.2017 13:38:43

Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), ka kryer një monitorim për Institucionet e Shëndetit Mendor dhe të Kujdesit Social në Kosovë, ku del se të miturit janë të vendosur në të njëjtin repart me të rriturit në disa institucione, e që është në kundërshtim me ligjin.

Zyrtari ligjor nga KOMF, Valdrin Dervishaj, tha për KosovaPress se mbajtja e të miturve në të njëjtin repart me të rriturit, ndikon negativisht në risocializimin dhe integrimin e tyre.

Dervishaj: Janë evidentuar tre raste nga viti i kaluar

“Në disa institucione është i theksuar ky fenomen, ku të miturit mbahen në të njëjtin vend me të rriturit, në të njëjtin institucion. Kjo është në kundërshtim me të gjitha rregullat ndërkombëtare dhe me praktikat e vendeve perëndimore. Prandaj, si praktik ndikon negativisht në formësimin dhe risocializimin e të miturve…KOMF, ka 22 organizata joqeveritare kombëtare dhe në mesin e tyre janë edhe organizata të specializuara për këtë fushë, njëra nga anëtarët tonë ka nxjerr së fundmi një raport i cili evidenton se kemi pasur tre raste të vitit të kaluar, ku të miturit janë mbajt në të njëjtin institucion me të rriturit”, tha Dervishaj.

Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, përballet me të njëjtin problem për shkak të hapësirës së pamjaftueshme. Drejtori i këtij Insituti, Gani Halilaj, tha për KosovaPress se pengesa kryesore vërehet tek rutina ditore, në kohën kur dalin femrat, meshkujt duhet të mbyllen.

Halilaj: Minorenët dhe gratë ndajnë të njëjtin repart

“Në kuadër të këtij institucioni ne kemi edhe kthinat ose vendet, që janë vetëm për femra . Aty janë dy dhoma me nga dy shtretër, që është numër i mangët për të funksionuar. Ka pengesa sa iu përket çështjeve të rutinave, për arsye se në kohën kur dalin femrat, duhet të mbyllen meshkujt, që është një prej pengesave edhe arsyeve që ky institucion. Por, duhet të bëhen ndryshime sa i përket këtij institucioni. Duhet të jetë një repart i veçantë për femrat, pastaj për minorenët. Praktikisht një i mitur ka ardhur pa vepër penale, për një kërcenim krejt të vogël ka ardhur dhe ka qëndruar tek ne”, tha Halilaj.

Kurse, neuropsikiatri Fahri Drevinja, në një intervistë për KosovaPres, përmendi kërkesat e gjykatave duke thënë se janë dhjetë herë më të mëdha se sa mundësitë e këtij instituti.

Ai u shpreh i shqetësuar që po rritet numri i adoleshentëve të cilët kryejnë vepra penale. Drevinja tha se adoleshentët kanë nevojë për mbështetjen profesionale nga ky institut, por fatkeqësisht nuk ka repart të posaçëm për ta.

Drevinja: Mungesë e repartit për adoleshentët

“Është hapësira e pamjaftueshme, kërkesat e gjykatave janë dhjetë herë më të mëdha sesa mundësitë tona. Kërkesat e Gjykatës janë për trajtimet e personave që kanë bërë vepër penale dhe nga ekipi jonë profesional janë deklaruar të papërgjegjshëm dhe ata nëse kthehen në familje janë të rrezikshëm për rrethin. Janë të rrezikshëm për shkak të sëmundjes, jo si persona. Meqenëse, ata janë të rrezikshëm prej sëmundjes ata duhet të trajtohen profesionalisht…Po na shtohet numri i adoleshentëve që po bëjnë vepra penale, abuzime të ndryshme, vjedhje, është problem delikat sepse është numër i madh. Disa prej tyre kanë nevojë ta kenë mbështetjen tonë profesionale, nuk kemi repart të posaçëm. Nuk kemi repart për femra edhe jemi të detyruar duke e ditë që është një patologji e vështirë kjo, është një periudhë që duhet me bo një ndarje derisa gjendja e tyre psikike qetësohet”, tha Drevinja.

Në anën tjetër, Dervishaj nga KOMF, tha se të miturit takohen dhe jetojnë bashkërisht me ata persona të cilët kanë kryer vepra penale të ndryshme. E që sipas tij, ky është trajtimi më i keq që iu ofrohet atyre. Për më tepër, kjo praktik manifestohet edhe me efekte negative psikologjike dhe sociologjike tek ta.

Dervishaj: Të miturit jetojnë me persona që kanë kryer vepra penale

“Kjo ndikon jashtëzakonisht shumë, sepse të miturit takohen dhe jetojnë bashkërisht me ata të cilët kanë kryer vepër penale të ndryshme. Prandaj, të miturit vendosen aty që të kenë një trajtim më të vecantë, ndërsa ky është trajtimi më i keq që mund ti japim. Format e reagimit të tyre janë të ndryshme duke marr edhe veprime të cilat i kryejnë edhe të rriturit, duke manifestuar veprime të tilla. Prandaj, ka efekte shumë të ndryshme psikologjike dhe sociale tek të miturit, ne vlerësojmë nëse vazhdojmë ta kem këtë praktik ndikon negativisht. Jo, vetëm në institutin në fjalë por edhe në institucione tjera…Qendra Korrektuese në Lipjan që është për të mitur dhe gra, aty mbahen në të njëjtin vend vajzat dhe gratë, në të njëjtin repart”, tha Dervishaj.

Kjo çështje është adresuar nga KOMF tek institucionet përkatëse dhe këta të fundit po presin për zgjidhje të këtij problemi mjaftë me ndikim për të ardhmen e këtyre të miturve.