Në këtë muaj pritet të bëhen arrestimet e para nga Specialja

25.02.2018 18:21:28

Prokurori në largim, David Schwendiman, përpara se të lirojë zyrën e tij të Kryeprokurorit – 31 mars – i është kërkuar që të nënshkruajë një aktakuzë, që involvon arrestimet e para.

Pasi të përmbyllet demarkacioni me Malin e Zi, pasi Kosova ta marrë dritën e gjelbër për liberalizim të vizave, në epiqendër të zhvillimeve do të rikthehet me gjithë fuqinë e tij, Tribunali Special.

Gazeta Express ka mësuar se më së largu deri në fund të muajit mars do të mund të ngritët aktakuza e parë për krime të luftës.

Një burim i sigurt i ka treguar Gazetës Express se arrestimet e para janë shumë afër.

“Kryeprokurorit në largim, David Schwendiman, i është kërkuar që deri më 31 mars, kur është dita e tij e fundit e punës në Tribunal, ai të nënshkruajë një aktakuzë”, ka thënë një burim i lartë, i cili ka qasje në këtë proces.

“Pritet që të arrestuarit e parë të jenë profil i ulët, nuk bëhet fjalë për personalitete të rëndësishme. Ky është një proces i gjatë. Partnerët e Kosovës, shtetet më të fuqishme, ato që edhe kanë kërkuar që të themelohet ky Tribunal, po kërkojnë me ngulm që tash procesi të fillojë”.

Gazeta Express ka mësuar se njëra prej arsyeve përse Schwendiman është larguar nga detyra ka qenë insistimi i tij që të mos ketë arrestime, të mos ketë aktakuza, deri në fund të këtij viti. Kjo qasje e tij ka shkaktuar nervozë në BE dhe SHBA, të cilat vende kanë pritur që ky proces të fillonte shumë më herët.

Tensionet në Perëndim janë ngritur posaçërisht muajt e fundit kur krerët e institucioneve të Kosovës e nisën një ofansivë për ta zhbërë Tribunalin Special.

Mësohet se kjo qasje, kjo vonesë, ky mobilizim i klasës politike në Kosovë, ka shtyrë Perëndimin që t’i lëvizë të gjitha levat për ta jetësuar këtë proces.

Por, pse është themeluar Gjykata Speciale e cila ishte cak i zhbërjes në fund të vitit të kaluar?

Përgjigja është e qartë: për t’i sqaruar akuzat që janë shkruar nga një zviceran, Dick Martyt, në një raport 30 faqesh, ku i bën përgjegjës udhëheqësit e UÇK’së për krimet e kryera gjatë dhe me krimin e organizuar pas luftës.

Për t’i hetuar këto akuza ishte emëruar edhe Prokurori, Clint Williamson, i cili kishte thënë se do të ngritën përafërsisht dhjetë aktakuza ndaj ish-udhëheqjes së UÇK’së.

“Ne besojmë se Task Forca do të jetë në gjendje të ngrejë aktakuza kundrejt disa ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së për krime kundër Serbëve, Romëve dhe etnive tjera si dhe Shqiptarëve që janë besuar të kenë qenë bashkëpunëtorë të Serbisë dhe rivalëve politikë”, kishte thënë Williamson, në korrik, të vitit 2014.

Ky Prokuror kishte përmendur numrin dhjetë të aktakuzave, por jo edhe numrin e të akuzuarve, shkruan Gazeta Express.

“Kaq, pak a shumë, ndoshta me pak por afërsisht 10 aktakuza”, kishte shtuar ai.Deri më tash, askush s’ka përmendur emrat e atyre që do të akuzohen, por Prokurori Williamson, kishte treguar adresën se ku janë ata njerëz që do të ndiqen penalisht.

“Nuk do të hyjë në specifika për të folur për individë, por të dhënat tona janë në koherencë me atë që ka thënë Dick Marty në raportin e tij, që këta individë kanë qenë në menaxhment të lartë të UÇK’së”, kishte shtuar ai.

Në vend të Williamson ishte emëruar amerikani David Schwendiman në postin e kryeprokurorit të Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për hetimin e pretendimeve të raportit të Këshillit të Europës për krime lufte në Kosovë.

Por, edhe pse e themeluar më 2015, ende nuk ka pasur asnjë aktuakuzë.