Në kujtesë të njerëzve, personaliteteve të heshtura nga institucionet!

31.08.2017 17:06:23

Profesori që bëri emër si mësimdhënës, si veprimtar-atdhetar dhe si drejtues Arsimi!
Emri i Sokol Kryeziut, është dashur të kihet parasysh tash e 19 vjet nga autoritetet e Komunës së Malishevës, sepse ai para se të ishte veprimtar i LDK-së, dhe themelues, prijës i sistemit të pavarur të Arsimit në komunën e Malishevës, ishte mësimdhënës-edukator i shumë gjeneratave të së ardhmes sonë.
Jusuf Bytyçi
Në historinë e lëvizjeve dhe organizimeve gjithëpopullore, Komuna e Malishevës në gjirin e saj kishte veprimtarë të shumtë të çështjes kombëtare, një pjesë e të cilëve ndonëse sot nuk gjenden në mes nesh, ata vazhdojnë të jetojnë me veprimtarinë e tyre të lënë trashigimi për vite me radhë.
I tillë ishte profesori Sokol Kryeziu, i lindur më 1950, në Mleçan të Malishevës. Profesori i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në ish-Gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Kijevë, shquhet për veprimtarinë e tij politike kombëtare në vitin 1981 ku edhe arrestohet dhe burgoset nga njerëzit e sistemit komunist.
Ai arsimoi dhe edukoi me frymë kombëtare, breza të tërë nxënësish. Ishte pjesëmarrës i shumë ngjarjeve me peshë kombëtare, patriot i shquar. Pas demonstratave të vitit 1981 i burgosur politik dhe i diferencuar politikisht nga sistemi i asaj kohe.
Në fillim të nëntëdhjetave, pasi u rikthye në shkollën ku kishte punuar deri në arrestimin-burgosjen-dënimin, i dëshmuar për atdhetarizëm, u bë pjesë e veprimtarisë politike, anëtar i kryesisë së Degës së LDK-së në Malishevë.

Profesori Sokol Kryeziu, ishte njëri nga figurat kyqe të organizimit të jetës politike dhe rezistencës gjatë viteve të 90-ta, krahas aktivistëve Cen Deskut, Isni Kilajt, Hasime Mazrekut, Bejtullah Kryeziut, Jusuf Bytycit, Besnik Krasniqit, Bajram Berishës, pastaj Isni Kryeziut, Qerim Kastratit, Fetah Bekollit, Gani Gajrakut, Hamdi Berishës, Gani Krasniqit, Halit Krasniqit, Bilall Kryeziut etj.

Që nga themelimi i Këshillave Institucionalë, në kuadër të kësaj veprimtarie, profesori-aktivisti i shquar për Pavarësinë e Kosovës, pajtimtari, Sokol Kryeziu, u emërua në krye të Këshillit Komunal të Arsimit në Malishevë. Krahas Këshillit Komunal të Arsimit dhe Këshillit Komunal të Financimit, vepruan edhe Sektori Pedagogjik me këshilltarë profesionistë, që krahas kolegëve të tyre nga Suhareka, inspektonin mbarëvajtjen e punës së shkollave të të dyja komunave.

Kryeziu, pati themeluar edhe Këshillin për Kulturë-Rini dhe Sport, me udhëheqës veprimtarin Cen Desku, i cili është dëshmuar për kontribut të madh në organizimin e jetës aktive, kulturore-artistike, sportive e rinore, respektivisht manifestimeve festive.
Profesori s’u ndal deri në sëmundjen e tij të pashërueshme si pasojë e rrënimit të shëndetit të tij, nga keqtrajtimi i rëndë fizik nga policia serbe e Stacionit famëkeq të Kijevës. Ai nuk u ndal së punuari deri në frymën e fundit të jetës. Profesori Kryeziu, ndërroi jetë, nëntëmbëdhjetë vjet më parë, në pranverën e vitit 1998, më 29 mars 1998, kur flakët e luftës kishin përfshirë vendin. Ai shkoi në amshim…
Detyra e profesorit Sokol Kryeziu, kërkonte shumë zell, profesionalizëm, përkushtim-vendosmëri dhe guxim. E, ai e kishte këtë virtyt. Për të kanë dënë vlerësimet e tyre të larta edhe aktivistët dhe profesorët e asaj kohe, Alush Kryeziu, bashkëvendës, Fetah Rudi, Jakup Kastrati etj.
Ishte njeri i kompletuar, shumë dimensional, intelektual i nivelit të lartë, profesor i shquar i shumë gjeneratave, profesor dhe prijs i arsimit, për vitet më të vështira të mbijetesës së shkollës shqipe. E quanim “Ministër”, ka thënë Jakup Kastrati, ish-kryetar i Deges se LDK-se dhe kryetar i Kuvendit Komunal të Malishevës, në vitet 2000-2002. Ishte halë në sy për ish-pushtuesin serbo-sllav. Ishin gjaneratë e artë me profesorët Hamit Dobruna, Bali Maloku, Prend Ndue Buzhala, Ismajl Gashin e shumë të tjerë.
E veprimtari Fetah Rudi, ishte shprehur:“Profesori Sokol Kryeziu, ishte veprimtar i çështjes kombëtare, ishte njeri i vuajteve, i ndjekjeve dhe i burgosur politik, por asnjëherë i thyer. Ishte i pandalshem për të punuar për çeshtjen kombëtare”. Duke rikujtuar se ka qenë nxënës i S. Kryeziut, Rudi ka shtuar: “Profesor, kisha fatin dhe jam krenar që kam punuar me ju dhe me shumë veprimtarë të viteve 90-ta, si profesor Hamit Dobrunën dhe veprimtarët, Isni Kilaj, Cen Deskun, Gani Krasniqin, Gani Gajrakun, Jusuf Bytyçin, Mulla Fetah Bekollin, Mulla Xhevat Keyeziun dhe shumë të tjerë”.
Me këtë rast, veprimtari i LDK-së Fetah Rudi, ka një kërkesë për Kuvendin Komunal të Malishevës dhe Drejtorinë e Arsimit, që në përvjetorin e 20-të të shkuarjes së tij në amshim, një shkolle të komunës së Malishevës, t’i vihet emri i profesor Sokol Kryeziu. Këtë ai e meritonte që moti, ka përfunduar Rudi!
Emri i Sokol Kryeziut, është dashur të kihet parasysh tash e 19 vjet nga autoritetet e Komunës së Malishevës, sepse ai para se të ishte veprimtar i LDK-së, dhe themelues, prijës i sistemit të pavarur të Arsimit në komunën e Malishevës, ishte mësimdhënës-edukator i shumë gjeneratave të së ardhmes sonë.
Ndonëse u ndërtuan shkolla të reja, u pavarësuan edhe u emërtuan me emra të rinj, edhe nga ata që asnjëherë nuk kishin punuar në asrsim dhe nuk ishin nga kjo fushë, emri i profesorit Sokol Kryeziu, ani se la pasardhës, fëmijë, vëllezër, nipër e mbesa, nuk zuri vend askund!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për profesorin S. Kryeziu!