Në orën 11:00 pritet vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme për Demarkacionin

21.03.2018 10:06:48

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, pas një debati 8 orësh të mbajtur mbrëmë, kanë vendosur që sot, duke filluar nga ora 11:00 të votohet marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi.

Pas mbylljes së debatit parlamentar lidhur me këtë marrëveshje kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, mbrëmë vonë, ka mbyllur seancën duke caktuar vazhdimin e saj për të sot në orën 11:00, ku do të votohet për këtë Projektligj, pasi në sallë ishin të pranishëm vetëm 69 deputetë, kurse për votimin e këtij dokumenti nevojiten 2/3 e votave të 120 deputetëve të Kuvendit.

Seanca, e cila nisi të martën në orën 16:00 ka përfunduar pas rreth nëntë orë debati parlamentar, ku pothuajse të gjithë deputetët e Kuvendit shprehen mendimet e tyre rreth kësaj teme.

Pak para shpalljes së vendimit për përfundim të kësaj seance, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli është konsultuar me kryeministrin Ramush Haradinaj, shefin e GP-së të PDK-së, Memli Krasniqin,  nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e LDK-së, Kujtim Shalën, shefin e GP-së të LDK-së, Avdullah Hotin, dhe dy zv/kryeministrat Enver Hoxhaj dhe Fatmir Limajn.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar nga të gjitha grupet parlamentare që ta votojnë këtë marrëveshje.

Miratimi i kësaj marrëveshjeje tashmë zyrtarisht është dhënë si kusht për liberalizimin e vizave nga krerët institucional të BE-së.