Në Prishtinë ndërpritet mësimi gjithëditorë për mungesë kushtesh

Në Prishtinë ndërpritet mësimi gjithëditorë për mungesë kushtesh

05.11.2017 21:20:15

Mësimi gjithëditor, i aplikuar tash e dy vjet si pilot-projekt në shkollat e Prishtinës, këtë vit nuk ka filluar ende. Në Drejtorinë Komunale të Arsimit këtë shtyrje e arsyetojnë me nxjerrjen e një raporti përfundimtar për këtë pilot-projekt, si dhe ndërtimin e aneksit të shkollës “Faik Konica”.

Sipas Drejtorisë Komunale të Arsimit, projekti është shtyrë deri në marrjen e një vendimi final për rifillim, pas analizimit të hollësishëm për të mirat dhe sfidat që ka sjellë pilot projekti.

Udhëheqësit e shkollave nuk pajtohen, pasi sipas tyre, institucionet arsimore duhet të mendojnë më mirë për projektet para zbatimit.

“…unë besojë se ka pas kohë te mjaftueshme për të gjithë e jo të ndërpritet një nismë të cilën po sa e kemi filluar në mënyrë që jo mos të pengohet jo proceset tona të përgjithshme por mos të pengohet një nismë të cilën e kanë filluar fëmijët, një shprehi pune që e kanë filluar…”, deklaroi Agron Mexhuani, drejtor Sh.F.M.U. “Emin Duraku” Prishtinë.

E mësimdhënësit në shkollën “Emin Duraku”, tregojnë se pavarësisht shtyrjes së mësimit gjithëditor, ata po vazhdojnë zhvillimin e orëve plotësuese dhe shtuese pas përfundimit të rregullt mësimor në objektet shkollore.

“… pasi që këtë vit nuk kemi filluar me mësimin gjithëditor, ne nuk e kemi ndalë punën që kemi filluar vitin e kaluar dhe jemi duke punuar me mësim plotësues dhe shtues…”    +   “…ne fillojmë në orën 8 dhe mbesim diku deri ne 15, varet prej orëve që i kemi shtuese, i kemi caktuar nga dy orë në javë për mësimin plotësues dhe shtues…”, deklaroi ndërkaq Nuhi Dema, mësimdhënës i lëndës së Matematikës.

Për mbarëvajtjen e mësimit gjithëditor, Instituti “EdGuard” ka realizuar edhe një hulumtim, ku këtë lloj të mësimit e cilësojnë si ekspertimet tjetër me fëmijët në fushën e mësimnxënies.

“…të gjeturat kanë treguar se diçka e tillë është shumë e vështirë e realizueshme, për shkak të mungesës së kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore në masë të madhe, pra e kemi pas një rezultat jo të mirë dhe kurrëfarë ngritje në mësimnxënie, qëllimi i të cilit është mësimi gjithëditor dhe më shumë i ripërsëritje të mësimit të rregullt por edhe aktivitete në shpërputhje me mësim të rregullt, gjë që nuk ka rezultuar me diçka në përfitim të nxënësve…”, deklaroi Rinor Qehaja nga  Instituti “EdGuard”.

Këtë shtyrje të mësimit gjithëditor, në Drejtorinë Komunale të Arsimit në kryeqytet e arsyetojnë me ndërtimin e aneksit të shkollës “Faik Konica” dhe pajisjen e tij me inventar. Madje për mësimin gjithëditor thonë se ka treguar ngritje të cilësisë së mësimit.

“…arsyeja e shtyrjes së mësimit tërëditor, përmirësimin e kushteve në shkolla siç është shkolla “Faik Konica”, ku e kemi ndërtu aneksin, jemi në përfundim e sipër jemi  në pritje të inventarit dhe shumë shpejt do të fillojmë…”, tha Ardiana Ismaili, zyrtare në DKA – Prishtinë.

Por, datë të saktë nuk dhanë se kur do të rifillohet me mësimin gjithëditor në këto shkolla.

Për pilotimin e mësimit gjithëditor ka pasur pakënaqësi në vazhdimësi nga prindërit, të cilët kanë thënë se nuk ka kushte infrastrukturore nëpër shkolla për zbatimin e këtij procesi mësimor. Madje ankesa ka pasur edhe për shujtën ushqimore që u ofrohet nxënësve vetëm në shkollimin fillor dhe jo atë të mesëm të ulët.