Në Shqipëri:KQZ, partive politike: Të nisë trajnimi i komisionerëve

06.06.2017 15:08:25

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditën e mërkurë trajnon Komisionerët ë Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor. Trajnimi i komisionerëve të KZAZ-ve organizohet menjëherë pas plotësimit të përbërjes së tyre nga anëtarë të propozuar nga të gjitha partitë politike që e kanë këtë të drejtë në bazë të përcaktimeve të Kodit Zgjedhor.

54 trajnerë të angazhuar nga KQZ-ja do të realizojnë sesionet e trajnimit për 720 komisionerë të nivelit të dytë, në 54 vende trajnimi, sipas skemës së hartuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Materialet bazë të trajnimit, si manuali i KZAZ-së, reflektojnë ndryshimet e fundit ligjore të bëra nga Kuvendi i Shqipërisë.

Pavarësisht masave organizative që KQZ ka ndërmarrë për realizimin me sukses të trajnimit, KQZ i kërkon partive politike angazhim serioz dhe bashkëpunim, për të dërguar komisionerët e propozuar prej tyre në trajnim, pasi vetëm komisionerë profesionalë dhe të njohës të mirë të procedurave ligjore, janë garanci për miradministrimin e procesit zgjedhor. Pjesëmarrja e komisionerëve të KZAZ-ve në trajnimin e organizuar nga KQZ është detyrim ligjor, sikundër mospjesmarrja e tyre apo mos kalimi i testimit të njohurive, përbën shkak për shkarkimin e tyre nga detyra e Anëtarit të KZAZ-së.

Ndaj, ripërsërisim apelin ndaj partive politike që të ushtrojnë ndikimin e tyre që komisionerët të marrin pjesë në trajnimin ditës së nesërme, dhe të bëhen pjesë aktive e programit trajnues. Oraret e trajnimit dhe vendet ku do të zhvillohen trajnimet, i janë vënë në dispozicion të gjithë inspektorëve rajonalë që do të ndjekin veprimtaritë, KZAZ-ve dhe misionit vëzhgues të ODIHR-it.