Agjencia e Statistikave të Kosovës e ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të çmimeve të konsumit (IHÇK) për muajin shtator 2016. Sipas të dhënave të ASK-së, ngritje e çmimeve vërehet te qumështi, djathi dhe vezët (1.2 për qind); perimet (5.5 për qind); rryma, gazi dhe lëndët djegëse të tjera (1.0 për qind)-(ngritje e çmimit të drunjve për ngrohje) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4 për qind në IHÇK.
Ndërkaq, po sipas të dhënave të ASK-së, ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-4.1 për qind) dhe shërbime për transport (-3.5 për qind)-(rënja e çmimit të biletave me aeroplan), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.2 për qind) në IHÇK, shkruan lajmi.net.
Shkalla e inflacionit e matur në muajin shtator 2016 me muajin shtator 2015 ishte 0.6 për qind.
“Indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.6 për qind në muajin shtator 2016, krahasuar me muajin shtator 2015. Në këtë periudhë vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it. Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet: mish (1.0 për qind); qumësht, djath dhe vezë (2.6 për qind); sheqer dhe ëmbëlsira (8.1%); pije alkoolike (2.7 për qind); duhan (5.1 për qind); veshje (2.8 për qind); shërbime për transport (11.8 për qind)-(ngritja e çmimit të biletave me aeroplan), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.1 për qind në IHÇK”, bënë të ditur ASK.






































