Në Vrellë do të investohen 350 mijë euro për ndërtimin e sallës së sportit

02.03.2017 14:34:54

Kryetari i komunës Haki Rugova ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala me qëllim të realizimit të projektit për “Ndërtimin e Sallës së Sportit në Vrellë”. Projekti ka kosto prej 350 mijë euro.

Ministri Kujtim Shala, tha se kjo përkrahje financiare për realizimin e këtij projekti bëhet me qëllim të përmbushjes së politikave të planifikuara të MKRS-së në fushën e sportit, ku hyn edhe përmirësimi i infrastrukturës, i cili është edhe një prej objektivave të Qeverisë së Kosovës. Ai po ashtu tha se realizimi i këtij projekti do të shërbejë në të mirë të qytetarëve të Istogut me qëllim të ngritjes së cilësisë dhe plotësimit të kushteve për realizimin e aktiviteteve sportive.

Kryetari Haki Rugova, shprehu falënderimin e tij për ministrin Shala dhe MKRS-në për përkrahjen e dhënë komunës së Istogut. Ai tha se ndërtimi i sallës së sportit në Vrellë është shumë i dobishëm për banorët e sportistët e tërë komunës së Istogut sepse atyre do t’u mundësohet të kenë hapësirat e nevojshme moderne për të kryer aktivitetet sportive.
Ky projekt pritet të realizohet gjatë viteve 2017/18.

Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës