Sipas aktakuzës, Ekrem Hoxha në cilësinë e kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), dhe Lulzim Kurtaj në cilësinë e anëtarit të të njëjtit bord, duke shkelur rregullat e konkurrimit kanë përzgjedhur operatorin ekonomik “R&T”, si fitues në tenderin “Qendra Nacionale e Monitorimit të Radiospektrit”.
Të pandehurit, sipas aktakuzës, kanë përzgjedhur fitues operatorin në fjalë, edhe pse i njëjti më parë është kthyer në rivlerësim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), duke iu shqiptuar edhe gjobë prej 30,000.00 euro për shkelje të procedurës së tenderimit. Për këtë, Hoxha dhe Kurtaj, po akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.
Katër dëshmitarët e lartpërmendur janë ftuar për të dhënë dëshmitë e tyre lidhur me këtë akuzë nga prokurori i prokurorisë Themelore të Republikës së Kosovës, Arian Gashi.
Dëshmitari Naser Shala deklaroi se i njëjti në kohën kritike ka qenë anëtar i Bordit të ART-së.
I pyetur nga prokurori i çështjes Gashi lidhur me tenderin “Qendra Nacionale e Monitorimit të Radiospektrit”, Shala deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë në polici andaj dhe kërkoi nga gjykata që e njëjta te merret parasysh pasi që sipas tij është më e freskët.
Shala tutje deklaroi se për rastin në fjalë e ka zbatuar ligjin në tërësi dhe nuk ka pasur presion nga askush.
Dëshmitari i dytë për këtë rast, Arian Qorolli tha se komisioni në bazë të kritereve të vendosura në dosjen e tenderit ka bërë vlerësimin, ku fitues ka dalur operatori ekonomik “R&T”.
Mirëpo sipas Qorollit pas ankesës së operatorit ekonomik tjetër, dosja e tenderit të operatorit ekonomik “R&T” është kthyer në rivlerësim, me c’rast është themeluar një komision tjetër.
Qorolli shtoi se anëtarët e Bordit të ART-së i cakton zyrtari më i lartë administrativ e që në këtë rast ka qenë i akuzuari Ekrem Hoxha.
Megjithatë, përderisa Qorolli deklarohej lidhur me ligjin për prokurimin publik, i akuzuari Ekrem Hoxha pati vërejtje në pyetjet e prokurorit, me arsyetimin se ky i fundit nuk e njeh procedurën e po ashtu po parashtron pyetje në kundërshtim me vet ligjin.
Pas Qorollit, në cilësi të dëshmitarit u dëgjua anëtari tjetër i bordit të ART-së, Astrit Ajvazi.
Ajvazi theksoi se ka qenë anëtar i komision vlerësues, ku sipas tij Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka kërkuar që tenderi “Qendra Nacionale e Monitorimit të Radiospektrit” të kthehet në rivlerësim.
Sipas Ajvazit, rivlerësimi i këtij tenderi ka ardhur si pasojë e kritereve të çmimit dhe specifikacionet teknike të ekspertit.
“Ne si komision për vlerësim, kemi shqyrtuar të gjitha dokumentacionet që i kemi pasur në dispozicion dhe nuk kemi vërejtur ndonjë parregullsi nga komisioni paraprak” theksoi Ajvazi.
Tutje Ajvazi deklaroi se të gjitha vërejtjet dhe komentet e anëtarëve nga ana e komisionit janë të paraqitura në raportin përfundimtar.
Më pas ai tha se vlerësimin e këtyre ofertave e kanë bazuar në ligj dhe në detyrat të cilat iu janë caktuar me vendim.
Me këtë tender sipas Ajvazit është dashur të ndërtohet stacioni fiks i radio monitorimit të spektrit frekuencor.
Dëshmitari i fundit i cili u morr në pyetje nga palët në procedurë ishte Ilir Imeri.
Imeri para trupit gjykues tregoi që ka qenë në komision të vlerësimit të ofertave për tenderin në fjalë, i cili komision është themeluar me vendim.
Ky tender, sipas Imerit ka qenë sipas procedurës së negocimit dhe komisioni në çdo fazë ka bërë një raport të cilin ia ka drejtuar zyrtarit të prokurimit, Avdi Ferrit.
Ai bëri të ditur se në fazën e parë për zgjedhjen e operatorit ekonomik, tre prej tyre i kanë plotësuar kushtet administrative për të kaluar në fazën tjetër.
Komisioni i vlerësimit sipas Imerit i ka rekomanduar zyrtarit të prokurimit variantin më të ulët pasi që të gjithë i kanë plotësuar kriteret teknike.
Imeri tha se nuk ka pasur presion nga zyrtari i prokurimit Avdi Ferri, si dhe theksoi se determinues në këtë tender ka qenë çmimi më i ulët.
Në seancën e radhës e cila pritet të mbahet me 15 mars në ora 9:00, pritet të dëshmoi Ibrahim Ahmeti që sipas prokurorisë është dëshmitar kyç në këtë rast.






































