Dënohet me 1 vit burgim i akuzuari për falsifikim të parasë

22.02.2018 16:39:49
Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten, e ka dënuar me 1 vit burgim, Imer Rexhepin, i cili akuzohej nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për kryerjen e veprës penale “falsifikim i parasë”.

Gjithashtu, është shqiptuar edhe dënim plotësues, ku janë konfiskuar 24 kartëmonedha nga 50 euro, në vlerë totale prej 1200 euro.

Ai akuzohej se me qëllim që ta vë në qarkullim si të vërtetë dhe duke ditur se paraja është e falsifikuar, pasi kishte marr me vullnet kartelën dhe fjalëkalimin e shokut të tij, Enis Shabani, i kishte futur përmes bankomatit 24 kartëmonedha prej 50 euro, ku vlera e tyre gjithsej kishte qenë 1200 euro, të cilat pastaj ishin bllokuar si të dyshuara për falsifikim dhe ishin konfiskuar nga Policia.

Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, ka deklaruar se gjykata konsideron se përtej çdo dyshimi të arsyeshëm është arritur të vërtetohet kryerja e veprës penale me të cilën ngarkohej i akuzuari.

Ibrahimi tha se Rexhepi që nga fillimi i procedurës penale e deri në fjalën përfundimtare ka qenë i pasinqertë, kurse në dhënien e mbrojtjes të tij, i njëjti ka dhënë deklarata kontradiktore.

Sipas Ibrahimit, mosha e të dënuarit nuk është e re, pasi ai është 35 vjeçar dhe si pronar është person që ka firmë private të tij dhe e din si deponohen e tërhiqen paratë, kurse meqenëse nuk ka pasur pranim të fajësisë, sipas tij, nuk ka mundur të ketë rrethana lehtësuese që Rexhepit t’i shqiptohet një dënim më i butë.

Paraprakisht, para se të shpallet aktgjykimi, në këtë rast me fillim nga ora 9:00, është mbajtur seanca në të cilën është paraqitur fjala hyrëse e palëve, është bërë dëgjimi i një dëshmitari, është dhënë mbrojtja nga ana e tanimë të akuzuarit dhe fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

Në fjalën hyrëse, prokurori Armend Hamiti, ka deklaruar se dyshimi i bazuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale që i vihet në barrë me aktakuzë, do të vërtetohet nga administrimi i provave.

Kurse, i akuzuari Imer Rexhepi ka deklaruar se ai i ka marr ato para, mirëpo, nuk ka mundur të jetë në dijeni se kanë qenë të falsifikuara.

Gjatë dëshmisë së tij, në këtë seancë, dëshmitari Enis Shabani, i cili fillimisht kishte qenë i dyshuar, ka deklaruar se me Rexhepin ka pasur marrëdhënie të mira fqinjësore.

Shabani, më tutje ka deklaruar se Rexhepit është ofruar t’i ndihmoi duke ja dhënë kartelën e bankës së tij, për shkak së i njëjti i kishte thënë se ka një hall dhe i nevojiten ca të holla për të bërë transferim nga llogaria e babait të tij në atë personale dhe t’i tërheq paratë.

Gjatë kohës kur Rexhepi ka kryer veprimin, dëshmitari deklaroi se ka qenë në veturë dhe nuk e ka ditur se çfarë po bën ai në bankë, kurse, tha se nuk e di pse kanë ardhur nga Podujeva në Prishtinë për të bërë transfer, përderisa ka bankomat të kësaj banke edhe në Podujevë.

Në veturë, dëshmitari tha se ka pritur rreth 15 minuta, ndërsa kur është kthyer Rexhepi, sipas tij, nuk kishte qenë bash i qetë, kishte qenë pak më nervoz se sa kur kishte hyrë në bankë.

Banka për këtë rast, dëshmitari tha se e kishte njoftuar pas 3-4 muajsh, kurse tha se ishte interesuar në bankë, por nuk kishte marr informacione nga ata, mirëpo ishte njoftuar nga policia.

Shabani, deklaroi se kartela i ishte kthyer pas 3-4 dite nga ana e tanimë të dënuarit dhe i njëjti nuk i kishte thënë diçka konkrete.

Tanimë i dënuari, Imer Rexhepi, gjatë dhënies së deklaratës së tij para trupit gjykues, ka deklaruar se Shabanit ia kishte kërkuar kartelën për të deponuar para në llogari të tij, që më tutje të kryej një pagesë. Kurse, kartelë personale të tij të bankës “Raiffaisen” ka deklaruar se nuk ka pasur.

Gjithashtu, i njëjti ka deklaruar se është e vërtetë që ka hyrë në bankë dhe ka deponuar paratë në emër të Enis Shabanit.

Prokurori Hamiti, gjatë fjalës përfundimtare ka deklaruar se është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale ashtu si i vihet në barrë me dispozitiv të aktakuzës.

Pas marrjes së kartëmonedhës dhe ekzaminimit të kryer nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, prokurori deklaroi se ekspertët kanë sqaruar dhe kanë theksuar se kartëmonedhat janë të dëmtuara, hologramet janë imituar dhe në të njëjtat janë vërejtur shenjat e lëndëve ngjitëse. Si konstatim përfundimtar, prokurori deklaroi se ekspertët kanë deklaruar se të gjitha këto kartëmonedha janë të falsifikuara pjesshëm.

Lidhur me çështjen e falsifikim të pjesshëm, prokurori ka deklaruar se nuk është ekspert për ta sqaruar, mirëpo, sipas tij, në një shqyrtim tjetër gjyqësor, ekspertët këtë terminologji e kanë shpjeguar duke thënë se falsifikim i pjesshëm konsiderohet çdo ndërhyrje apo prekje në dokumente zyrtare të cilat janë origjinale, por ka ndërhyrje në to dhe të njëjtat nuk mund të dalin në qarkullim.

Prokurori ka propozuar që i akuzuari të dënohet në harmoni me ligjin, kurse si rrethanë lehtësuese të merret fakti që nuk ka rënë më herët ndesh me ligjin.

I akuzuari, në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se nuk ka çfarë të thotë, por që kërkon falje dhe se nuk ka përfituar as ai, as familja e tij nga një veprim i tillë. Gjithashtu, i njëjti deklaroi se i vjen keq që është maltretuar Enis Shabani.

Më pas, trupi gjykues ka konstatuar se çështja nuk është vërtetuar plotësisht dhe është e nevojshme të merret sërish në pyetje i akuzuari që të deklarohet lidhur me deklaratat në polici dhe prokurori, pasi me to nuk është ballafaquar sa i përket raportit me Enis Shabanin.

I akuzuari, ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë borxh ndaj Enis Shabanit, kurse në polici kishte deklaruar se “Po, me sa më kujtohet ka qenë muaji i 7, kam deponuar 1200 euro, ishte diku pas orës 24:00 të mesnatës, përmes llogarisë së Enisit. I kam tregu që jam i gatshëm t’ia kthej borxhin. Enisi tha që më duhet t’i deponoj dhe tha i vendos në kartelën time, i njëjti ma dha kartelën dhe më tregoj pin code. E kam deponuar këtë shumë në Raiffaisen diku pas mesnate në llogari të Enisit. Enisi ishte me mua, i tregova se në kartëmonedhën e fundit automati ma qiti error. I thash Enisit se është bllokuar diçka automati, dhe dola në tjetrin bankomat, kam shikuar se a janë dal paratë në xhirollogarinë e Enisit. Nuk figuronte që kanë dalur 1200 euro”.

Për këtë deklaratë i akuzuari tha se një pjesë është e vërtetë, kurse policisë deklaroi se nuk i ka thënë që i ka pasur borxh Enis Shabanit.

Deklaratën i njëjti tha se nuk e ka lexuar kur e ka nënshkruar. Nënshkrimin e tij i njëjti në seancë e ka identifikuar se është i tij, mirëpo, te pjesa ku thuhet se nuk ka vërejtje ndaj policit që e ka intervistuar tha se nuk është shkrimi me dorë i tij.

Tutje, Rexhepi ka thënë se ka kërkuar nga zyrtari policor mbrojtje edhe nga prokurori, mirëpo nuk i kanë ofruar. Mbrojtje deklaroi se ka kërkuar, sepse paratë i ka marr nga një person më i fuqishëm se ai, i cili sipas tij ka njerëz në gjykatë dhe ky person është aq i fortë sa merret me para të falsifikuara.

Sipas tij, meqenëse nuk i ishte dhënë mbrojtja, nuk kishte dëshmuar për këtë person.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, se a dëshiron të shpallet si dëshmitar i mbrojtur dhe të tregoi se kush është ai person, që sipas tij, falsifikon para, Rexhepi është përgjigjur duke thënë jo.

Më tutje, palët deklaruan se qëndrojnë pranë fjalëve përfundimtare që i kanë dhënë.

Prokurori deklaroi se nga deklarimi i të akuzuarit rezulton se i njëjti ndryshon deklaratat dhe nuk ka qenë i sinqertë. Kurse, Rexhepi ka thënë se nuk e ka kryer me vetëdije veprën penale.

Gjatë të gjitha fazave të procedurës kur është pyetur i njëjti se a e pranon fajësinë, është përgjigjur duke thënë po më duhet ta pranoj, ose po nuk kam zgjidhje tjetër, apo duke thënë se nuk është i vetëdijshëm se po e pranon fajësinë, një pranim të tillë të fajësisë gjykata nuk e ka pranuar.

Sipas aktakuzës, Rexhepi më 15 korrik të viti 2016 rreth orës 00:00, në bankomatin e bankës “Raiffaisen”, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, me qëllim që ta vë në qarkullim si të vërtetë duke ditur se paraja është e falsifikuar, pasi kishte marr me vullnet kartelën dhe fjalëkalimin e shokut të vet Enis Shabani, i kishte futur përmes bankomatit 24 kartëmonedha prej 50 euro, ku vlera e tyre gjithsej kishte qenë 1200 euro.

Më tutje, sipas aktakuzës, Rexhepi i ka deponuar me qëllim paratë e falsifikuara, në mënyrë që të nxjerr para tjera jo të falsifikuara nga bankomati, me ç’rast bankomati i ka bllokuar këto kartëmonedha si të dyshuara për falsifikim. Këto kartëmonedha, më pas ishin konfiskuar nga ana e policisë dhe pas ekzaminimit të tyre është vërtetuar se janë të falsifikuara.