AGK dënon largimin me dhunë të gazetarit Osmani, Kuvendi sqarohet rreth kësaj

22.02.2018 16:31:47

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regauar lidhur me largimin e gazetarit Taulant Osmani nga ambientet e Kuvendit të Kosovës.

“AGK ka kuptuar se gazetari Taulant Osmani nga Kallxo.com është larguar dhunshëm nga hapësirat e Kuvendit, nga një person i cili paraqitet herë si staf i kabinetit të Kryetarit të Kuvendit e herë si pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Sipas raportit të incidentit, gazetari ka qenë duke qëndruar në korridor pranë zyrës ku po mbahej takimi i përfaqësuesve të subjekteve politike parlamentare me Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

“Fillimisht doli një person i cili më kërkoi akreditimin dhe unë e paraqita. Mandej doli një person tjetër i cili më tha se akreditimi nga Kuvendi më ka skaduar në Dhjetor të vitit të kaluar dhe se nuk mund të qëndroj aty. Mirëpo ne dhe të gjitha mediat kemi aplikuar me kohë për vazhdim dhe është Kuvendi ai i cili nuk e ka proceduar vazhdimin e akreditimeve të mediumeve”, kujton ngjarjen gazetari Osmani duke shtuar se “…pastaj më ka shtrënguar për krahu dhe me dhunë më ka tërhequr jashtë objektit të Kuvendit”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës këtë ngjarje e konsideron si pengesë direkte dhe ushtrim i dhunës ndaj gazetarit, përkundër arsyetimit se akreditimi ka skaduar – për shkak se askush nuk ka të drejtë që të ushtroj dhunë ndaj punëtorëve të mediave e sidomos në situata kur raportimi ka të bëjë direkt me interesat e qytetarëve dhe të vendit tonë.

Kjo ngjarje shpërfaq edhe njëherë mendësinë dhe mungesën e respektit të institucioneve tona publike ndaj punës së gazetarëve.

Lidhur me këtë gjë edhe Kuvendi i Kosovës ka dërguar sqarimin duke thënë se Kuvendi i Kosovës mbetet i përkushtuar që të krijojë kushte sa më të mira për gazetarët dhe qasje sa më të madhe për kryerjen e detyrës së tyre. Por, po ashtu, gjithnjë në kuadër të bashkëpunimit, kërkojmë nga ta të respektojnë procedurat e parapara në Kuvend, ashtu siç ndodhë në çdo vend tjetër të botës.

Sqarimi i plotë i Kuvendit:

Kuvendi i Kosovës dëshiron të sqarojë rreth raportimit se sot një gazetar ‘është larguar me forcë nga ambientet e Kuvendit’.

Sikur edhe në çdo seancë tjetër, gazetarët qëndrojnë në hollin e Kuvendit, dhe në hapësirat e dedikuara për ta, pas sallës së mbledhjeve plenare. Ndërkaq, në lozhën e sallës ku mbahen seancat qëndrojnë kameramanët dhe fotoreporterët.

Në çdo hapësirë tjetër të Kuvendit, çfarëdo zyre, në këtë rast edhe Zyra e Kryetarit të Kuvendit, nuk lejohet qasja kur nuk ka ftesë zyrtare dërguar për media apo takim të paracaktuar me kabinetin.

Pra, në një rrethanë të tillë, mediat nuk mund të kenë qasje në zyrat tjera, pa ftesë apo leje paraprake. Po ashtu, dëshirojmë të theksojmë se nuk ka qenë ‘sigurimi i kryetarit Veseli’ siç thuhet në raportime, që e ka larguar, por sigurimi i Kuvendit, që i përgjigjet Policisë së Kosovës. Për këtë ne kemi kërkuar edhe një raport nga Policia e Kosovës, të cilin e gjeni të bashkëngjitur.

Kuvendi i Kosovës mbetet i përkushtuar që të krijojë kushte sa më të mira për gazetarët dhe qasje sa më të madhe për kryerjen e detyrës së tyre. Por, po ashtu, gjithnjë në kuadër të bashkëpunimit, kërkojmë nga ta të respektojnë procedurat e parapara në Kuvend, ashtu siç ndodhë në çdo vend tjetër të botës.