Në Washington formohet grupi i senatorëve lobues për shqiptarët

10.04.2017 22:17:48

Disa vite pasi kishte pushuar së ekzistuari, Senati amerikan ka formuar grupin, i cili do të udhëhiqet nga senatorët Gary Peters (Demokrat nga Michigan) dhe Joni Ernst (republikane nga Iowa). Grupi i sapo formuar ka për synin sigurimin e vazhdimësisë së mbështetjes për shqiptarëtnga Washingtoni.
Caucus është një grup në të cilin senatorët me influencë koordinojnë punën me Senatin, Kongresin dhe Departamentin e Shtetit, veçanërisht me Shtëpinë e Bardhë dhe presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan gazetametro.net

Riformimi i këtij grupi është i rëndësishëm, sepse atë do ta përfaqësojë senatorja nga radhët e republikanëve Joni Ernst.

Ernst është shumë e lidhur me presidentin dhe ka ndikim të madh në administratën aktuale amerikane, ndërsa senatori demokrat Gary Peters, është një mik i shqiptarëve.

“Unë pres që të punojmë së bashku me senatoren Ernst, për të forcuar lidhjet e thella me popullin shqiptarë dhe për të mbështetur të drejtat demokratike të shqiptarëve në Ballkan”, tha Gary Peters.

Ndërsa senatorja Ernst tha se “çelësi është që të vazhdojmë t’i forcojmë marrëdhëniet me aleatët tanë në Evropën Lindore”.