Nëna e rojes së sigurisë që u arrestua: Ç’faj ka ai?! 12 orë punë për 200 mijë lekë të vjetra

11.02.2017 12:03:27

E ulur në shkallët e shtëpisë, nënë Tana pret kthimin e djalit të saj, Xhelilit, i cili u arrestua dy ditë më parë pas supergrabitjes së mbi 2 milionë eurove. Me lot në sy, 78-vjeçarja Tana Metaj, na tregon se djali i saj kishte pesë muaj që kishte filluar punë në kompaninë e sigurimit “Jaguar security”, pasi kishte lënë punën te Landfilli në Sharrë. Ajo thotë se grabitjen e së enjtes e kishte parë nga televizionet, ndërsa lut Zotin që grabitësit nuk i vranë djalin. “Dje (të enjten) isha para televizorit dhe po shikoja lajmet.

Aty pash që kishte ndodhur një grabitje rrugës për në Rinas, por nuk e dinim që ishte Xhelili me atë grup. Pas disa orësh, flet nusja në telefon dhe merr vesh që ishte arrestuar djali. Po pse ai e ka fajin që ndodhin krime të tilla në këtë vend?”, thotë 78-vjeçarja një ditë pas arrestimit të djalit të saj, Xhelil Metaj. Më tej, ajo shprehet për gazetën “Shekulli”, se Xhelili punonte 12 orë në ditë në atë kompani dhe paguhej vetëm 20 mijë lekë të reja. Këto para sipas saj, nuk mjaftonin për të mbajtur një familje me pesë persona.

“Dilte në orën 7 të mëngjesit nga shtëpia dhe mbaronte në orën 7 të darkës. Gjithsej bënte 12 orë punë për të marrë një rrogë mujore prej 20 mijë lekësh, që nuk dilnin as për t’u ushqyer. Ka dy fëmijë, që të dy janë në shkollë. Kush do t’i ushqejë ata tani? Na ndihmon shteti ne që më arrestuan djalin?”, shprehet nënë Tana.

Shteti të gjejë grabitësit

Nënë Tana për grabitjen e parave bën fajtore bankën që transferon para. Sipas saj, punonjësit e bankës janë ata që i çojnë grabitësit e t’u marrin paratë nga duart punonjësve të sigurisë, që përleshen me armët e keqbërësve. “Shteti duhet të vërë drejtësi në këtë vend se po fusin njerëzit kot në burg. Djali im shkonte atje për 20 mijë lekë. Ata i vunë pistoletën në kokë dhe shyqyr që nuk e kanë vrarë. Hera e parë që ne përballemi me një ngjarje të tillë dhe na ka zënë halli. Nuk e di si do t’ia bëjmë tani që ka rënë në burg djali për një diçka që nuk e ka bërë ai. Pse duhet të futet ai në burg? Janë të tjerë persona ata që duhet të japin llogari dhe ata janë punonjësit e bankës, sepse ata i bëjnë këto punë. Që kur ka ardhur ky shtet i tanishëm njerëzit nuk po gjejnë rehat as në shtëpinë e tyre. Shtet që të fut në burg pa bërë asgjë, përveçse do të mbrosh kokën tënde.

Pse nuk japin një përgjigje ata se si duhet të veprojë një person që i është vënë pistoleta në kokë? Pse nuk shkoi policia t’i mbronte në atë moment, meqë ata janë më të aftë se këta ku ishte djali im”, ka vijuar 78-vjeçarja. Ajo shprehet se nuk ka mundur ta takojë djalin në paraburgim për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore që ajo ka. Por, sipas saj, Xhelili i ka treguar gjithçka vëllait të tij për atë çfarë kishte ndodhur. “Unë nuk e kam takuar djalin, por e kanë takuar këta të tjerët. Ka thënë se nuk kishte si të vepronte me kallashnikov në kokë. Ne lutim Zotin që na e ka shpëtuar nga ata grabitës, sepse i kanë mbajtur armën te koka gjatë gjithë kohës. Është mirë me shëndet, por grabitjen ta zbardhë shteti se kush i ka marrë paratë. Nuk po gjejmë qetësi nga këto gjëra. La plehrat për t’u futur në burg me këto paratë e bankës”, e mbyll bisedën nëna e Xhelil Metaj.