Letra e ideatorit të sulmit terrorist të 11 shtatorit për Obamën: “Ja pse e goditëm SHBA”

11.02.2017 12:21:19

Khalid Shaykh Muhamed, truri i sulmeve të 11 Shtatorit të 2001 ndaj kullave binjake në Nju Jork. Janë 18 faqe akuzash për amerikanët që i adresohen Obamas. Një letër e shkruar në vitin 2015, por që është bërë publike vetëm në ditët e fundit të presidencës.

“I keni duart e lyera me gjakun e vëllezërve tanë, të motrave tona e të fëmijëve tanë të vrarë në Gaza, Vaziristan, Jemen, Irak, Libi, Afganistan. Somali dhe vende të tjera të botës”.

Kështu shkruante Khalid Shaykh Muhamed, truri i sulmeve të 11 Shtatorit të 2001 ndaj kullave binjake në Nju Jork. Janë 18 faqe akuzash për amerikanët që i adresohen Obamas.

Një letër e shkruar në vitin 2015, por që është bërë publike vetëm në ditët e fundit të presidencës.

Është Miami Herald ajo që ka publikuar letrën e plotë. Ai që e ka dorëzuar në redaksinë e gazetës është një nga avokatët mbrojtës të Khalid Shaykh Muhamad, drejtues pakistanez i Al Qaedas dhe i burgosur në Guantanamo. Ai është i konsideruar një nga mendjet e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit kundër SHBA-ve.

“Nuk jemi ne që e nisëm luftën por ju dhe diktatorët tuaj në tokat tona”- shkruan Khalid Shaykh. Por letra nuk ka shkuar menjëherë në dorën e Obamës me urdhër të gjykatës ushtrarake që po e gjykon pakistanezin. Presidenti është vënë në dijeni vetëm pak ditë përpara se në Shtëpinë e Bardhë të futej Donald Trump.

“Kjo ishte një hakmarrje”- shkruan më tej krahu i djathtë i Osama Bin Laden, duke iu referuar politikave amerikane. Dhe nuk mungojnë as batutat kundër Obamës që është i përshkruar si “avokati brilant që i njeh mirë të drejtat e njeriut dhe që e vret armikun pa i bërë një proces dhe e më pas ta hedhë kufomën në det dhe jo tia dorëzojë familjes për një varrim njerëzor”. Referimi është i qartë për vrasjen e Osama Bin Laden, trupi i të cilit është hedhur në një vend sekret në Oqeanin Indian për të evituar krijimin e vendeve të kultit nga ana e terroristëve.

Letra sipas avokatëve të terroristit pakistanez Khalid Shaykh Muhammad, është shkruar si valë emotive e shkaktuar nga pushtimi dhe bombardimet e izraelitëve në Gaza gjatë vitit 2015. “Khalid Shaykh është i irrituar nga politika e jashtme amerikane dhe është krejt i bindur se SHBA-të i kanë dhënë mbështetje Izraelit”-deklaron avokati David Nevin. Urrejtja e thellë që ai ndjen karshi amerikanëve edhe sepse bëhet fjalë edhe për vrasjen e tij pasi rrezikon dënimin me vdekje. “Nuk do të kërkoj kurrë mëshirë ty apo gjykatës, bëni atë që doni, liria ime, burgosja ime dhe vdekja ime janë një mallkim për të gjithë keqbërësit dhe tiranët”.

Në letrën e tij, ish eksponenti i Al Kaedas akuzon CIA-n, FBI-në, komunitetin hebraik në Bruklin dhe të djathtën kristiane. Por edhe vendet mike të SHBA-ve, mes të cilave edhe Italinë. Si për bazat italiane ashtu edhe për lirinië që Italia u lejon shërbimeve sekrete amerikane.

Khalid Shaykh Muhammad bën një paralelizëm edhe me rrëmbimin e një ushtari izraelit (që më pas u vra) akt i cilësuar nga Obama si barbar dhe ai i rrëbimit të Abu Omar, imami i rrëmbyer në Milano dhe i torturuar në Egjipt. Italia citohet si vendi që i ka lejuar agjentëve të CIA-s të veprojnë të pa shqetësuar për të rrëmbyer një studiues besimi i cili po shkonte një mëngjes për tu lutur. Por edhe neo kolonializmi i prezumuar i Afrikës së Veriut është një tjetër akuzë në adresë të Italisë.

Në përmbyllje të letrës së tij, Khalid Shyakh Muhamad flet për vdekjen e tij: “Nëse do dënohem me burgim të përjetshëm, do të jem i lumtur ti lutem Allahut çdo ditë, por nëse do të dënohem me vdekje, do të jem njësoj i lumtur sepse do të takohem me Allahun, profetët dhe miqtë e mi më të mirë që keni vrarë, si Osama Bin Laden.