Nënshkruhet në Sofje Marrëveshja për transportin rrugor ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave me Republikën e Bullgarisë

09.09.2016 11:10:05

Ministri i Infrastrukturës, Lufti Zharku, së bashku me një delegacion të fushës së Transportit Rrugor, të udhëtarëve dhe mallrave, po qëndrojnë në Sofie të Bullgarisë me ftesë të homologut të tij, ministrit të qeverisë së Republikës së Bullgarisë, z. Yvaylo Moskovski.

Delegacioni kosovar i udhëhequr nga ministri Zharku nënshkruan marrëveshjen e re për ndryshimin e funksionimit të Transportit Rrugor Ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave në mes Republikës së Kosovës dhe Bullgarisë. Me këtë rast shfuqizohet marrëveshja e më hershme e nënshkruar më 27 qershor 2011.

Marrëveshja e re rregullon transportin rrugor ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve për transportin bilateral, transit me vendet e treta dhe ka për qëllim avancimin e tregtisë dhe të marrëdhënieve ekonomike, duke pasur parasysh mbrojtjen e mjedisit dhe të njerëzve, shfrytëzimin racional të energjisë, shtimin e sigurisë në komunikacionin rrugor dhe lëvizjen e lirë të udhëtarëve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve.

Kjo Marrëveshje është mbështetur në ndryshimet e infrastrukturës ligjore të vendeve respektive, e cila ka të bëjë me rregullimin e çështjeve të pagesave rrugore dhe shfrytëzimin e rezervuarve të karburanteve normale të automjetit, të cilat janë ndërtuar nga prodhuesi dhe janë të destinuara për ngasjen e automjetit dhe funksionimin e mjetit motorik, që ndërlidhen me aktivitetet e transportit rrugor të udhëtarëve dhe mallrave, ndërmjet palëve kontraktuese, respektivisht Republikës së Kosovës dhe Republikës së Bullgarisë.