Nëpërmjet kishës-minë, Serbia synon të paraqesë shqiptarët si dëmtues të objekteve fetare ortodokse, dhe të pengojë vizitën e mundshme të Papa Françeskut në Kosovë

17.09.2016 21:42:49

Nga Rexhep Kastrati

1

Serbia po vazhdon të zbatojë në Kosovë skenarë provokativë me qëllim tensionimin e situatës në Kosovë me mundësi destabilizimi. Dhe po ndodh pikërisht në kohën kur subjektet politike në Kosovë janë mbledhur për të gjetur një konsensus sa më të gjerë jo vetëm për çështjen e demarkacionit, por edhe për një varg çështjesh me rëndësi jetike për vendin. Praktika ka treguar se Serbia vazhdimisht provokon situata tensionuese dhe përçarëse brendashqiptare, ashtu siç ka vepruar edhe në fillim të vitit të kaluar nëpërmjet të Aleksandar Jabllanoviqit, i cili fyu nënat gjakovare për të provokuar tensionimin e situatës dhe konfliktualitetin politik brendashqiptar. Dhe shqiptarët e hangrën karremin dhe desh e bënë copë shtetin. Ishin pamje të rënda ato që Kosova i jepte botës, sepse vetëm te ne dhe në vende tribale mund të digjeshin institucionet e shtetit pse një provokator idiot zbaton pika të skenarit të një shteti tjetër. Ishte sekta okulte e Albinit dhe e ashtuquajtura opozitë e bashkuar, por edhe segmente të inkriminuara dhe primitive brenda shumicës qeverisëse që u kujdesën për t’i futur shqiptarët në kurthin serb. Natyrisht, mediat dhe portalet frymëzian fort anarkinë dhe djegien e institucioneve. Tash Serbia ppo provokon nëpërmjet një kishe të ndërtuar në korpusin universitar në Prishtinë në kuadër të strategjisë serbe për serbizimin e Kosovës. Kjo kishë që nuk u përfundua kurrë, ishte ndërtuar edhe si një minë me sahat për të shpërthyer në duart e shqiptarëve. Është kështu për faktin se me asnjë parim urbanistik, arkitekturor dhe pronësoro-juridik nuk mund të arsyetohet prania e një kishe të tillë, dhe ka qenë e ditur se mund të vijë dita që të diskutohet edhe për heqjen e saj. Dhe është ky momenti që Serbia po synon ta shpërthejë këtë minë dhe t’i dëmtojë shqiptarët. Êshtë për keqardhje se si përsëri shqiptarët bien në kurth dhe e hanë karremin serb. Veprimet e shqiptarëve, edhe pse shumë të buta në rrethana normale dhe në shtete të tjera, megjithatë në kontekstin e marrëdhënieve ndëretnike, të propagandës së madhe serbe, në të cilën është e përfshirë Kisha Ortodokse Serbe për pengimin e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, për gjoja rrezikun që kanë objektet e kultit serb (edhe pse shumica janë shqiptare), nga gjoja shqiptarët muslimanë, efekti diplomatik dhe te opinioni ndërkombëtar është i madh. Në fakt, me veprime të tilla që ditëve në vijim edhe mund të eskalojnë, Kosovës po i bëhet shumë dëm, madje dëm më i madh sesa që mund të duket si në raportet e brendshme, pasi që mund të ketë tensionim të situatës, dhe zhvendosje nga temat kryesore për vendin, pra edhe përpjekjet për arritjen e një konsensusi më të gjerë brendashqiptar, edhe në raportet ndërkombëtare, pasi që shqiptarët po identifikohen si cenues të të drejtave fetare dhe objekteve të kultit, kurse serbët viktimë. Dhe kjo mund të ketë pasoja për pozitën ndërkombëtare të Kosovës, por edhe në rritjen e përkrahjes ndërkombëtare që ajo kishë-minë me sahat të mos rrënohet, por të përfundohet e të kthehet në objekt të shovenizmit serb dhe në objekt që do të provokojnë shqiptarët. Prandaj, shqiptarët duhet të jenë të kujdesshëm, të përmbajtur dhe të mos bien në provokimet dhe kurthet serbe.

2

Po ashtu, provokimet e Serbisë duhet parë edhe në kontekst të mundësisë së vizitës së Papa Françeskut në Kosovë, e që do të ishte një ngjarje shumë e rëndësishme dhe me konotacione shumë të gjera për vendin tonë dhe për kombin shqiptar në përgjithësi. Vizita e mundshme e Papa Franceskut në Kosovë më shumë sesa për mundësinë që Vatikani ta njohë Kosovën, e që e tmerron Serbinë, është e rëndësishme edhe për konfitmimin e kujdesit që Vatikani ka për Kosovën dhe shqiptarët, si konfirmim i orientimit properëndimor, si konfirmim i përkatësisë dhe kontributit që shqiptarët kanë dhënë dhe japin për qytetërimin perëndimor.Vizita e paralajmëruar pas shenjtërimit të tashmë Shën Terezës, kishte tronditur Serbinë, aq sa ambasadori serb në UNESCO të deklaronte se Papa nuk do të vijë në Kosovë. Në fakt, shenjtërimi i Shën Terezës ishte momenti kur gjithë bota ktheu vëmendjen kah shqiptarët, që nëpërmjet Shën Terezës rifitoi edhe njëherë respektin botëtor. Prandaj edhe provokimet serbe duhet parë edhe në kontekst të pengimit të vizitës së Papa Françeskut në Kosovë, por edhe zbehjen e respektit që shqiptarët rifituan me rastin e shenjtërimit të Shën Terezës. Në këtë kuptim, shqiptarët duhet të kenë edhe më shumë kujdes dhe vetëpërmbajtje e mos të bien në kurthet serbe.