Nervozizmi i Ramës si dëshmi e dështimit të Vuçiqit!

10.01.2019 17:52:29

Enver Bytyçi

Presidenti Meta refuzoi të dekretojë për ministër të Jashtëm Gent Cakajn, benjaminin e Baton Haxhiut e të Hashim Thaçit, që do të thotë njeriun e Serbisë në Tiranë. Më ka habit gjithashtu qëndrimi i “patriotit të madh”, ish-kreut të Kuq e Zi-së. Kreshnik Spahiut, i cili prej ditësh bën thirrje që ky predikues i ndarjes së Kosovës të dekretohej në krye të diplomacisë shqiptare. Por ky është tjetër hesap.

Ajo që dëshiroj të ve në dukje me këtë rast ka të bëjë me dëshprimin e thellë të kryeministrit të Shqipërisë, të cilin ia shkaktoi mosdekretimi I Cakajt. Pse ndodhi që Edi Rama të nervozohej aq shumë sa të fyejë institucionin e kryetarit të shtetit shqiptar?! Kush janë arësyet e vërteta të kundërvënies arkaike prej rrugaçi të Edi Ramës ndaj presidentit të Republikës?!

Përpara se të shkruaj këtë koment lexova e rilexova përgjigjen e zotit Meta për zotin Rama, në të cilën argumentohet refuzimi i dekretimit të zotit Cakaj. Nuk flitet në ato argumente për moshën e të preferuarit të Ramës, Hashimit e Batonit për drejtimin e diplomacisë shqiptare. Flitet për eksperiencën dhe qëndrimet e tij. Substanca e argumentit ka të bëjë me faktin se Gent Cakaj nga pozicioni i zv. ministrit të Jashtëm të Shqipërisë është shprehur në studion e Baton Haxhiut në dakortësi me Edin, Hashimin, Batonin e Aleksandër Vuçiq për ndarjen e Kosovës.

Ndaj mosdekretimi provon faktin se presidenti i republikës së Shqipërisë është kategotikisht edhe e vepra kundër këtij projekti antishqiptar. Edi Rama nuk kishte llogaritur se Ilir Meta do të përdorte autoritetin e tij si kryetar shteti në mbrojtje të institucioneve të vendit nga depërtimi i njerëzve të Beogradit e të Goerg Soros në to. Presidenti nuk mundi ta ndalonte emërimin e ministres së arsimit, edhe pse është mbesa e një prej agjentëve të njohur e të demaskuar të UDB-së në Kosovë. Por ndaloi Gent Cakajn, sepse ky është personalisht e drejtpërdrejt i rekrutuari i Batonëve dhe Stanishiqëve, për të realizuar planet serbe kundër shqiptarëve.

Nga këto fakte del argumenti tjetër se përballja në politikën shqiptare tashmë është çeshtje strategjike e interesave të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan. Kryeministri i Shqipërisë e presidenti i Kosovës kanë qëndrime politike të njejta me strategjinë gjeopolitike të Beogradit. Ndërsa pjesa tjetër e politikës shqiptare në përgjithësi mbron interesat strategjike të shqiptarëve. Gent Cakaj do të ishte një gur prove për admiruesit e projektit të Beogradit për ndarjen e Kosovës se teoria e serbe “ka mbështetje” në diplomacinë shqiptare, të “përfaqësuar nga një kosovar”! Ky rast do të përdorej si argument se dy segmentet kryesore që përbëjnë bërthamën e pjësmarrësve në projekt, pra kryediplomati dhe njëkohësisht “kosovari” Cakaj, janë të dy të gatshëm që “për paqen në rajon” të bëjnë kompromisin e ndryshimit të kufijve të Kosovës me Serbinë.

Mosdekretimin e Cakajt Rama e sheh si dështim të angazhimit dhe premtimit të tij në adresë të Vuçiq për realizimin e projektit të ndarjes së Kosovës. Ai nuk kishte llogaritur të përballej me kreun e shtetit deri në këtë pikë. Si në çdo gjë Edi Rama bën llogari të tilla, të cilia i mendon si të pa diskutueshme e të pa kundërshtueshme! Por llogaria për Cakajn rezultoi e gabuar. I tmerruar nga prishja e skemave të mashtrimit prej studentëve, tani ai po shikon se mbetet i vetmuar në aventurat e tij antishqiptare e antikombëtare! Prandaj Edi Rama është i nervozuar. Dhe ky nervozizëm, ndonëse ndikon negativisht në shëndetin mendor të kryeministrit, do të ketë impak pozitiv për fatet e Shqipërisë e të shqiptarëve. Tashmë vizionet janë të ndryshme dhe njerëzit janë ndarë: – Të shumtët mbrojnë vizionin e forcimit të sovranitetit e të shtetësisë së Kosovës, të paktët e nervozuar shohin dështimin e tyre në projektin serb për shkatërrimin e sovranitetit dhe shtetësisë së Koosovës! Por në fund të fundit më i dështuari ndër të gjithë do të jetë përfituesi i skemës, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Kjo e bën Edi Ramën akoma më nervoz!

Tiranë, më 10.01.2019