Nëse nuk plotësohen këto dy kushte, Lista Serbe nuk e voton Demarkacionin!

31.08.2016 23:33:22

Koalicioni PDK- LDK i drejtuar nga Isa Mustafa e Kadri Veseli nuk mund të llogaris në votat e Listës Serbe për demarkacionin me Malin e Zi, nëse nuk plotësohen dy nga kushtet kryesore që i kanë vënë.

Sipas burimeve të Gazetës Blic Brenda Listës Serbe, kushti kryesor ka të bëjë me aktivizimin e 25 antenave të Telekomit Serb në tërë Kosovën.

“Deri në këto moment Lista Serbe ka qëndrim të prerë, që nuk do të marrë pjesë në seancë. Kushtet janë shumë të qarta, riaktivizimi i 25 antenave të Telekomit Serb dhe plotësimi i zotimeve që ka dhënë Hashim Thaçi për t’u zgjedhur president”, ka thënë ky burim.

Ndonëse ky burim nuk ka saktësuar se cilat janë ato zotime që i ka dhënë Hashim Thaçi, vetëm ka shtuar se e di “shumë mirë ai (Hashim Thaçi) se çka na ka premtuar për t’ia dhënë votën për president”.

“Nëse nuk plotësohen këto dy kushte, Lista Serbe nuk e voton demarkacionin”, tha ky burim.

Në anën tjetër, presidenti i vendit, Hashim Thaçi para pak çastesh ka theksuar se demarkacioni do të kaloj nesër dhe kjo është çështje e kryer. Ai edhe njëherë fatin e Ushtrisë dhe të Vizave e ka lidhur me demarkacionin.

Partitë opozitare ndërkaq, u kanë bërë thirrje deputetëve që të mos e votojnë demarkacionin me Malin e Zi, ngase sipas tyre, Kosova humb hiq më pak se 8 mijë hektarë tokë.

Ka shumë gjasa që të shtyhet seanca e nesërme e Kuvendit të Kosovës, jo vetëm për shkak të Listës Serbe, por edhe për shkak se koalicioni nuk i ka shumë të sigurta votat.