Nesër vendoset për imunitetin e Saimir Tahirit

19.10.2017 19:55:28

Këshilli i Rregullores dhe Mandateve do të mblidhet paraditen e së premtes për të vendosur në lidhje me kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi doli në një konferencë për mediat, ku konfirmoi marrjen e kërkesës së prokurorisë për ndalimin e ish-ministrit të Brendshëm.

Ruçi deklaroi se janë njoftuar të gjitha palët e përfshira në këtë proces dhe se të premten në orën 11:00 do të mblidhet Këshilli i Rregullores dhe Mandateve, shkruan Top Channel.

“Sot, brenda datës 19 kam dhënë urdhër me këtë përmbajtje; së pari, materiali i depozituar nga prokuroria t’u vihet në dispozicion të gjithë anëtarëve të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve; së dyti, t’i vihet në dispozicion deputetit Saimir Tahiri; së treti brenda ditës së nesërme, në orën 11:00 pranë selisë së Kuvendit, thirrjen e Këshillit të Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve dhe njoftimin e prokurorëve për vendin, kohën dhe rendin e ditës së mbledhjes”, tha Ruçi.

Prokuroria do të paraqitet në këtë mbledhje me prokurorët Elizabeta Imeraj, Vladimir Mara dhe Besim Hajdarmataj.