Nexhat Daci flet për herë të parë për vdekjen tragjike të djalit të tij

31.01.2019 16:53:39

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka folur për herë të parë pas vdekjes tragjike të djalit të tij, Arianit.

Përmes një letre, ai ka falënderuar të gjithë shqiptarët për ngushëllimet dhe ndarjen e dhembjes me familjen Daci, raporton lajmi.net

LETËR FALËNDERIMI

Me rastin e vdekjes së djalit tonë të vetëm, Arianit, si prind i tij dhe në emër të gjithë familjes Daci dua t’i falënderoj dhe shpreh mirënjohjen tonë të thellë të gjithë shqiptarëve për ngushëllimet dhe ndarjen e dhembjes me ne në momentet e vështira që i përjetuam. Në veçanti, duam t’i falënderojmë përfaqësuesit shtetërorë nga pozita dhe opozita në Kosovë për vizitat dhe përkrahjen e tyre të gjithanshme, liderët e Shqipërisë, liderët shqiptarë nga Maqedonia dhe Mali i Zi, përfaqësuesit nga mërgata që vinin nga Evropa, Amerika dhe vendet e tjera, duke përfshirë Presidentin Thaçi, Kryeparlamentarin Veseli, Kryeministrin Haradinaj, Kryetarin e LDK-së Mustafa, Kryetarin e Vetëvendosjes Kurti, Presidentin Meta, Kryeministrin Rama, Akademik Tolen, Kryetarin e BDI-së Ahmeti, ministrin e Punëve të Jashtme Pacolli, kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Arta Rama-Hajrizi si dhe Zëvendëskryeministrin Gashi i cili në bashkëpunim, bashkërendim dhe duke gëzuar ndihmë të pakursyer nga Zyra e Kryeministrit Haradinaj u përkujdesën në të gjitha aspektet për mbarëvajtjen e ceremonisë mortore sipas Protokollit të Shtetit. Ne, gjithashtu, duam t’i falënderojmë përfaqësuesit nga vendet e huaja të cilët na ngushëlluan dhe ndanë dhembjen me ne, duke përfshirë Ambasadën britanike, franceze, suedeze, hungareze si dhe përfaqësuesit e vendeve tjera. Ishte një dhembje tejet e madhe për ne por njëkohësisht ishin edhe momente krenarie kur pranonim ngushëllime nga i gjithë populli pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake, religjioze apo ndonjë përkatësi tjetër. Kjo është dëshmia më e mirë se ne ia arrijmë të jemi të unifikuar në momente të vështira dhe vendimtare për familjen por edhe për vendin.

Me respekt, Akademik Nexhat Daci, Kryetar i ASHAK-ut.