Neymar nga Qatari: Mund ta mposhtim Realin

21.12.2017 20:24:44

Neymar u bë transferimi më i shtrenjtë në botë, kur në muajin gusht PSG-ja vendosi të paguajë 223 milionë euro te Barcelona për kartonin e tij. Gjithsesi, shumë shpejt mediet filluan të aludojnë për një tjetër transferim të brazilianit, sërish në Spanjë, por këtë herë te Reali i Madridit.

Të gjitha palët e kanë mohuar kategorikisht këtë tratativë, ndërsa së fundi ka qenë edhe vetë Neymar që ka deklaruar se do të qëndrojë gjatë në Paris.

Nga Doha, në Katar, ku skuadra pariziene ka udhëtuar për të festuar “Qatar Winter Tour”, Neymar theksoi se ndihet mjaft mirë në kryeqytetin francez dhe se po përshtatet mjaft mirë.

“Unë kam vetëm pak muaj te PSG-ja dhe mund të them se ndihem mjaft mirë. Po përshtatem më shpejt sesa e kisha parashikuar dhe shpresoj që të jap sa më shumë kontribut për rezultatet e skuadrës. Unë i kam besuar projektit të Parisit dhe dua të fitoj këtu, ndaj ju garantoj se do qëndroj gjatë te PSG-ja dhe se nuk ekziston asnjë tratativë largimi”, u shpreh braziliani.

Shorti i 1/8-ave të Champions Leagues ofroi një finale të parakohshme, me PSG-në që do të përballet pikërisht me kampionët në fuqi, Realin e Madridit. Neymar shprehet mjaft optimist për këtë sfidë dhe thotë se në fund do jetë Parisi që do të kualifikohet për më tej.

“Reali i Madridit është një skuadër mjaft e fortë, por jo e pathyeshme. Edhe ne jemi një ekip i konsoliduar, me shumë element që mund të bëjnë diferencën dhe jam i bindur që do t’ia dalim të kualifikohemi më tej”, tha Neymar.