Ngrica dëmton frutikulturën, Peleshi u premton fermerëve dëmshpërblim

23.04.2017 19:09:04

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi ishte në Dvoran të Korçës për të parë nga afër dëmin që i është shkaktuar pemëtarisë për shkak të motit të keq dhe ngricave përgjatë ditëve të fundit. Rreth 1300 ha me mollë dhe qershi janë dëmtuar këtë sezon. Peleshi dhe autoritetet lokale kanë takuar nga afër fermerët e dëmtuar për shkak të motit të keq.

Gjatë fjalës së tij, numri dy i qeverisë tha se nuk do të mungojë mbështetja për dëmshpërblimin e tyre, pasi kjo situatë dëmton ekonominë e shumë familjeve. Nga ana tjetër Peleshi është ndalur edhe tek problematika e mungesës së sigurimit të prodhimit bujqësor, duke sqaruar se tashmë ka ardhur momenti që ky sektor të kalojë një hap më tej.

Ndërkohë, paraditen e së shtunës 700 fermerë nga fshati Dvoran protestuan pasi pemëtoret e tyre me qershi janë dëmtuar në masën 80 % dhe ato me mollë në masën 50%.