Nikoliq: Problemi i Serbisë me Kosovën, sikurse Ukraina me Krimenë

27.11.2016 14:58:16

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, ka thënë se shteti i tij dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ekzistojnë dy kushte të cilat nuk mund t’i përmbushë, siç është njohja e pavarësisë së Kosovës dhe të jetë në raporte jo të mira me vendet me të cilat BE është në konflikt.
Presidenti serb ka thënë se NATO kishte sulmuar Serbinë pa të drejtë derisa ka konfirmuar se populli serb nuk e dëshiron anëtarësimin në Aleancën Veri Atlantike.

“Kemi qenë të sulmuar e bombarduar nga NATO më 1999, pa arsye. Kjo ka pasur pasoja të mëdha, në ekonominë tonë, por edhe në qëndrimin e qytetarëve tanë ndaj NATO-s. I sigurt flas në emër të shumicës së qytetarëve kur them se Serbia kurrë nuk do të jetë në NATO”, ka thënë Nikoliq në një intervistë për Al Jazzera, transmeton Telegrafi.

Nikoliq ka bërë një krahasim mes Kosovës dhe Krimenë.

“Problemin që ka Serbia me Kosovë, e ka edhe Ukraina me Krimenë. Sa i përket Kosovës, BE-ja pranon pavarësinë e saj, Rusia jo. Kur është fjala për Krimenë, Rusia e pranon atë, kurse BE-ja jo”, ka shtuar Nikoliq.

Nikoliq në temën e Dialogut Prishtinë-Beograd ka thënë se Serbia dëshiron paqe dhe siguri për serbët në Kosovë. “Brukseli dhe Prishtina e përdorin për të promovuar dhe forcuar pavarësinë e Kosovës”, ka përfunduar Nikoliq.