Nikolla i përgjigjet Kryemadhit: Mos i trazo nxënësit për ca vota më shumë

19.03.2017 18:13:40

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka shprehur habinë dhe mosdakordësinë ndaj deklaratës së bërë sot nga deputetja e LSI, Monika Kryemadhi lidhur me reformën në arsimin e lartë dhe praktikën e ndjekur vitin e shkuar për Maturën Shtetërore. Nikolla i ka kujtuar Kryemadhit se Praktika e re e Maturës Shtetërore ka qenë një proces gjithëpërfshirës, ku është dëgjuar edhe LSI ndërsa i ka bërë thirrje që të mos i trazojë nxënësit që tashmë janë në prag të maturës shtetërore për ca vota më shumë.

 

Dëgjova me habi prononcimin tënd kundër praktikës së re të Maturës Shtetërore!

E mirëkuptoj klimën e vigjiljes së fushatës, ashtu siç mirëkuptoj çdo kritikë, edhe nga ti vetë, pavarësisht se jemi shpjeguar jo një herë sy më sy për Maturën Shtetërore. Praktika e re e Maturës Shtetërore që krijoi kushte krejt të reja konkurrueshmërie dhe transparence, është fryt i një pune të madhe e të përbashkët. Siç ti e di fare mirë ka qenë një proces gjithëpërfshirës, ku janë dëgjuar me shumë respekt edhe vërejtjet e grupeve parlamentare, përfshirë dhe LSI-në. Jo vetëm kaq, po vetë Kryetari i Kuvendit ka ndihmuar personalisht për zhvillimin e një debati të brendshëm shumë konstruktiv mes përfaqësuesve politikë dhe ekspertëve të partive të koalicionit.

Asgjë nuk është perfekte dhe gjithçka është e përmirësueshme, padyshim edhe kjo praktikë e re dhe e suksesshme. Por të lutem sinqerisht, të mos cenojmë arritjet tona të padiskutueshme për disa vota më shumë në 18 qershor. Sepse votat kanë rëndësi për partitë, por mostrazimi i nxënësve që po përgatiten për Maturën Shtetërore të këtij viti dhe i prindërve të tyre, ka rëndësi për të gjithë ne, pavarësisht partive.