Nis mbledhja e LDK-së, pritet të vendoset për emrat e ministrave

01.05.2020 11:57:41

Ka nisur të mbahet mbledhja e strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku pritet të vendoset rreth emrave të ministrave nga radhët e LDK-së.

Një ditë më parë shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha para medieve se ka bërë kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e qeverisë së re.

Gashi tha se këtë e ka bërë në emër të grupit parlamentar dhe të deputetëve të cilët e kanë nënshkruar këtë kërkesë, që sipas tij janë 61 deputetë nënshkrues të kësaj kërkese.

“Para orës 16:00 kam dorëzuar në emër të Lidhjes Demokratike dhe deputetëve përkrahës kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për të shtunën në ora 13:00, ku pikë e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e qeverisë”, tha Gashi.

I pyetur për dërgimin e dekretit për mandatar nga Lëvizja Vetëvendosje në Gjykatën Kushtetuese, Gashi tha se është e drejtë e saj për gjitha veprimet që i ndërmerr.