Nisin punimet në rrethrrotullimin në rrugën Prishtinë – Lipjan

08.04.2017 13:03:50
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, inspektuan punimet në aslfaltimin e rrugës Gadime e Epërme – Smallushë – Sllovi dhe përuruan fillimin e punimeve për ndërtimin e rrethrrotullimit në rrugën nacionale Prishtinë – Lipjan (te burgu).

Në fjalën e tij ministri Zharku ritheksoi përkushtimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të zbatojë Memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar në mes MI dhe Komunës së Lipjanit  për realizimin e projekteve të infrastrukturës rrugore në këtë komunë, të cilat do të realizohen gjatë këtij viti, thuhet në kumtesën ministrore.

Po ashtu, ministri Zharku foli edhe për projektet e tjera të rëndësishme për komunën e Lipjanit, si për rrugën e cila do të lidhë qytetin e Lipjanit me magjistralen Prishtinë-Shkup dhe rikonstruimin e rrugës në Gadime, si dhe disa projekte të tjera, transmeton lajmi.net.

Ndërsa kryetari Ahmeti theksoi rëndësinë e këtyre projekteve infrastrukturore për komunën e Lipjanit, të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin më të madh të kësaj komune.

Projekti për aslfaltimin e rrugës Gadime e Epërme – Smallushë – Sllovi është financuar nga Ministria e Infrastrukturës në vlerë 439,916.54 euro dhe ka një gjatësi prej 5026 metrash dhe gjerësi prej 5 metrash.

Po ashtu, projekti tjetër i ndërtimit të rrethrrotullimit në rrugën nacionale Prishtinë – Lipjan  (te burgu) është financuar nga MI në vlerë 242,310.27 euro.

Investimet e bëra nga MI në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në Lipjan do të ndihmojnë në përmirësimin e jetës së banorëve të kësaj pjese dhe po ndihmojnë në zhvillimin ekonomik dhe lëvizjen më të mirë të njerëve dhe mallrave.


_idj0170-1
_idj0192