Nisma kërkon që Hashim Thaçi të shpallet tradhtar

27.10.2016 11:50:06

Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, ka kërkuar që pika e parë e rezolutës ta shpall Hashim Thaçin tradhtar

Berisha ka folur në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, për dënimet e ish-ushtarëve të UÇK-së, për krime lufte. Berisha e ka quajtur këtë seancë koti, pasi sipas tij, është thirrur për t’iu qitur hi syve qytetarëve, transmeton lajmi.net

“Ky Kuvend, kjo legjislaturë nuk ka drejtë me fol për UÇK-në. Kjo legjislaturë ka miratuar ligje për me luftu UÇK-në. Nuk mundemi me seanca koti t’i lajmë gjynahet që u kemi bërë këtyre djemve”, ka thënë ai.

Berisha shtoi se njerëz që kanë harruar kontributin e luftëtarëve, ua kanë shtri dorën pasardhëseve të Millosheviqit dhe Sheshilit duke lejuar shtrirjen e Serbisë në Kosovë vetëm për interesa personale.

“Hashim Thaçi është fajtori kryesor dhe ai duhet të shpallet tradhtar i Kosovës. Letrat e kryetradhtarit Thaçi dërguar prokurorisë janë vazhdimësi e dëmtimit të djemve dhe vajzave të Kosovës. Pra nëse shkohet me një rezolutë koti propozoj që pika e parë e asaj të jetë që Thaçi të shpallet tradhtar i vendit”, është shprehur Berisha.