“Priten protestat”/ Mbledhja e grupit, diskutimet me zgjidhje ekstreme: PD drejt bojkotit të Parlamentit

27.10.2016 11:45:05

Bojktot i parlamentit, Basha: Po diskutojmë të gjithë skenarët e mundshëm

“Shqipëria është kthyer në një narko-republikë,  çdokush që hesht përpara kësaj, shqiptarë apo i huaj ka vetëm dy motive: indiferencën ose korrupsionin”

Ashtu siç lajmëroi më herët “Standard”, Opozita po shqyrton seriozisht mundësinë e bojkotit të parlamentit. Deklaratat e nënkryetarit Edmond Spaho, i cili  në një intervistë për gazetën deklaroi se PD shqyrton mundësinë e lënies së parlamentit, i konfirmoi, ditën e djeshme edhe kryedemokrati Lulzim Basha, i cili e konsideroi  parlamentin të delegjitimuar. Në përfundim të mbledhjes se grupit parlamentar demokrat, Basha theksoi se po diskutohet të gjitha format e kundërvënies ndaj qeverisë, të cilën e cilësoi si regjim narkotrafikantëtsh. “Ne e konsiderojmë Parlamentin tashmë një organ të delegjitimuar dhe një organ i cili qëndron si një kësulë mbi kokën e një shteti narko-trafikant.Qëndrimet tona do të jenë të përshtatura me këtë konsideratë, jo vetëm tonën por të shumicës së shqiptarëve për shumicën parlamentare. Qëndrimi ynë do të përshkallëzohet më tej si rezultat i konsultimit dhe vendimmarrjes së përbashkët, jo vetëm me anëtarësinë e Partisë Demokratike, por edhe me shoqërinë civile, me aleatët tanë politikë, me qytetarët anembanë vendit. Po diskutojmë të gjithë skenarët e mundshëm. Dhe padyshim një vendim i përbashkët do të çojë drejt një aksioni të përbashkët dhe një aksion i përbashkët i shumicës së dërrmuesve të shqiptarëve, të djathtë dhe të majtë, që refuzojnë krimin, që duan rikthimin tek ligji dhe jo kthimin e Shqipërisë në një republikë hashashi nuk ka shans të mos kurorëzohet me sukses të plotë” – tha lideri i selisë blu. Situata e narkotrafikut në vend domoi diskutimet edhe në mbledhjen e grupit parlamentar. I pyetur për deklaratat e minisitrit Manjani, për përfshirjen e ushtrisë në luftën kundër kanabisit, Basha theksoi se kjo deklaratë vëreteton shqetësimet e Partisë Demokratike. Kryeopozitari u shpreh se ata që heshtin para fenomentit të kanabisit kanë vetëm dy arsye, Indiferencën ose korrupsionin. “Është një simptomë e gjendjes ku ndodhet vendi kur anëtarë të kabinetit apo bashkëdrejtues të maxhorancës detyrohen të pranojnë atë çka ne kemi thënë tashmë prej një viti, se Shqipëria është kthyer në një narko-republikë. Sepse çdokush që hesht përpara kësaj, shqiptarë apo i huaj ka vetëm dy motive: indiferencën ose korrupsionin. Ose është indiferent dhe nuk i bëhet vonë për Shqipërinë ose është i korruptuar,”  – tha lideri i të djathtëve.

Qëndrimi

Kreu i Partisë Demokratike, e cilësoi si një vendim të ndërmjetëm, por të drejtë, pezullimin e Ligjit të Vettingut nga Gjykata Kushtetuese dhe dërgimin e këtij ligji në Komsionin e Venecias, për një opinionin më të gjerë. Basha tha se ky vendim, do ti hapë rrugë zbatimit të Kushetuetës së 22 Korrikut. “Është një vendim i ndërmjetëm, ne presim vendimin përfundimtar. Pa dyshim si vendim i ndërmjetëm është një vendim i drejtë sepse i mohon Edi Ramës mundësinë që përmes qehajajve të tij, përmes drejtorëve të tij, të vendosë se cilët gjyqtarë dhe cilët prokurorë janë të korruptuar dhe cilët nuk janë. Sepse kjo nuk eshte ajo për të cilën shqiptarët dhe opozita luftuan dhe kulminuan me konsensusin e 22 korrikut. Pra, është një vendim që i hap rrugën zbatimit të Kushtetutës së 22 korrikut,” –  nënvizoi lideri i opozitës. Nga ana  tjertër, opozita përforcoi idenë se me kryeminisitrin Rama nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke e cilësuar si kusht, largimin e tij nga posti kryeministror.

Kuvendi në sitën e Ligjit të Dekriminalizimit

Asnjë nga subjektet  e verifikimit nuk rezulton  i dënuar nga Gjykatat shqiptare

Asnjë nga funksionarët e Kuvendit të Shqipërisë nuk rezulton i dënuar nga Gjykatat shqiptare. Kuvendi përcolli ditën e djeshme, informacionin mbi gjendjet gjyqësore të gjithë funksionarëve, të cilët kanë dorëzuar formularët  e vetëdeklarimit pranë Kryetarit të Parlamentit, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, për personat që zgjidhen ose emërohet në poste publike. “Nga përgjigjia e Drejtorisë së Përgjithshme e Gjëndjes Civile , rezulton se asnjë nga subjektet e verifikimit nuk ka rekorde të gjëndjes gjyqësore në vend, pra rezultojnë të gjithë të padënuar nga gjykatat shqiptare.Nga verifikimi i kryer nga struktura e posaçme e ngritur në Kuvend, asnjë nga zyrtarët nuk ka deklaruar të jetë i dënuar nga gjykatat shqiptare përvec rasteve të dënimit politik në kohën e diktaturës që nuk janë pjesë e këtij ligj,” – thuhet në njoftim. Struktura e posaçme e Kuvendit ka verifikuar emrat nominalë të zyrtarëve të cilët kanë deklaruar ose jo ndryshime të përbërësve të gjëndjes civile, nga ku rezultoi se  shumë emra i referohen ndryshimeve të mbiemrit pas martesës apo dhe ndryshimit të mbiemrit si rrjedhoje e dekretit të Presidentit për marrje shtetësie. Gjithashtu edhe korrigjimeve për shkak të gabimit material nga zyrat e gjëndjes civile. Ndryshimet  janë të përputhura edhe me rregjistrin e gjëndjes civile të verifikuar nga zyra përkatëse e gjendjes civile. “Nga verifikimi i strukturës së posaçme, e krahasuar me të dhënat e zyrës së gjëndjes civile, na rezulton se disa zyrtarë që kanë vetdeklaruar ndryshime të emrit apo mbiemrit në kohë të ndryshme më të hershme , nuk rezultojnë me ndryshime të tilla në Rregjistrin aktual referues të vitit 2010. Siç dhe arsyetohet në shkresën e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjëndjes Civile  , konsultimi i plotë i këtyre të dhënave vijon në zyrat përkatëse të gjëndjes civile ku ato figurojnë të rregjistruar.Pas  marrjes  dhe administrimit te informacionit zyrtar shkresor nga Zyra e Gjendjes Civile dhe Zyra e Gjendjes Gjyqësore, informacioni i mbledhur me shpjegimet perkatëse për gjeneralitete të ndryshuara apo vendime të formës së prerë të marra jashtë Shqipërisë , në zbatim të ligjit 138/2015 , procesi do të vijojë duke i dërguar edhe njëherë Zyrës së Gjëndjes Civile kërkesën për riverifikim për raste konkrete  si dhe Prokurorisë së Pergjithshme , me qëllim verifikimin e plotë të të dhënave të plotësuara në formularin e vetdeklarimit nga zyrtarët , subjekt të këtij verifikimi ligjor, për të vlerësuar të dhënat e administruara në përputhje me parashikimet e Vendimit nr.l7 /2016  të Kuvendit për ato zyrtarë që rezultojnë me identitet të ndryshëm apo nuk kanë deklaruar ndryshimet e raportuara sipas ZGJC dhe ata me vendime të gjykatave jashtë shtetit,” – cilësohet në njoftimin e publikuar nga Kuvendi.

selia-pd

Koha për vendimmarrje

“Makineria” e opozitës duhet të “lubrifikojë ingranazhet” dhe të ndezë motorët

Në PD do të duhet edhe një aksion i brendshëm i cili duhet të vijë si një vendim i natyrshëm që mundohet të ringrejë partinë e ta risjellë atë në pushtet dhe jo si një politikë e “kokave të prera”

Shumë prej emrave që në këto tre vite opozitarizëm ngrohwn karriget e tyre në parlament, njësi të ndryshme apo bazë, pa asnjë mëdyshje dhe brejtje ndërgjegje s’duhet të jenë më pjesë e ekipit

Gëzim Saliu

Thuajse 8 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, PD dhe opozita në tërësi e sheh veten në një situatë të vështirë dhe dyzuese. Në këtë “atmosferë”, mund të përfshihet mos ecuria e duhur e procesit të dekriminalizimit , situata tejet shqetësuese me kanabisin dhe klanin që qëndron pas tij ( i cili shpesh përflitet edhe për lidhje politike me pushtetin), mos përfshirja e propozimeve për votim e numërim elektronik në kuadër të reformës zgjedhore apo edhe rastet e Korçës dhe Dibrës si paralajmërim për 2017-ën. Të gjitha këto problematika që përbëjnë shqetësime permanente për demokratët, vijnë nga faktorë të jashtëm e që nuk varen drejtpërdrejt nga PD. Por përtej asaj se sa mund të merren “masat” nga kahu tjetër politik, i cili ka në dorë edhe vendimmarrjen,  është me ngut sa i përket opozitës, përcaktimi i hapave që pritet të ndërmerren për të ndalur ose më së paku zvogëluar pasojat e çështjeve të sipërpërmendura.

Si po veprohet

Zgjedhjet në qarkun e Dibrës dhe humbja e demokratëve aty me një rezultat të thellë ishin një alarm i kuq për opozitën. Vërtetimi me zë e figurë i rasteve të shumta të blerjes apo vjedhjes së votës ishin gjithashtu një sirenë e fortë paraprijëse për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Akuzat sipas të cilave klanet e drogës u përfshinë drejtpërsëdrejti në garën lokale të Dibrës përbënin një tjetër alarm jo vetëm për opozitën, por në tërësi për zgjedhjet e lira. Në këto kushte, PD shprehu një lum akuzash ndaj mazhorancës qeverisëse dhe specifikisht ndaj kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm Tahiri, duke i akuzuar si njerëz të lidhur me botën e krimit dhe drogës. Rrjedhimisht PD ju rikthye idesë së qeverisë teknike, e cila e ndau një fije nga realizimi në korrikun e tensionuar për shkak të reformës në drejtësi, duke nënvizuar se me Ramën dhe Tahirin nuk mund të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme.

Por ndërkohë që ditët e javët po ikin një e nga një dhe koha e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të verës së 2017-ës sa vjen e po afron, vendimmarrjet e demokratëve kanë qenë fare të pakta. Madje në disa çështje është vënë re një thuajse “nënshtrim” dhe këtu është rasti të rikujtojmë kundërshtinë për votimin dhe numërimin elektronik. Të shpallura nga demokratët si kushte të domosdoshme për të minimizuar sadopak mundësitë e manipulimit të zgjedhjeve, kërkesat u hodhën pa më të voglin dyshim në koshin e plehrave nga socialistët, që u justifikuan me ç’rregullsitë që mund ti sjellin procesit pamundësitë e teknologjisë. Por nëse kundërshtia e socialistëve deri diku mund të cilësohet e justifikuar, ajo që surprizoi jo pak ishte “zëri pa zë” i demokratëve, të cilat u mjaftuan me vetëm dy deklarata akuzuese ndaj mazhorancës. Nuk besojmë se PD i cilëson zgjedhjet si një çështje që nuk meritojnë të paktën vëmendjen që mori nga opozita, procesi i dekriminalizimit. Nëse për kërkesat e përdorimit të teknologjisë në zgjedhje do ishte këmbëngulur sa gjysma e asaj që u këmbëngul në rastin e dekriminalizimit, me siguri që demokratët do kishin arritur më shumë se “hiç”. Nuk dihet nëse kjo tërheqje në heshtje e PD-së nga kërkesat për numërim e votim elektronik ka ardhur në kuadër të një strategjie e cila do sjellë në “tregun” politik një opozitë agresive e me vendimmarrje ekstreme, pra të ndryshme nga kjo e tre viteve që kemi parë deri më tani. Në rast se do ishte kështu, vendimi do ishte më shumë se i justifikuar në kuadër të ndryshimit te taktikës politike.  Por nëse kjo gjysmë heshtje ndaj hedhjes poshtë të kërkesave për reformën zgjedhore, ka ardhur në kuadër të lojërave e kalkulimeve politike, atëherë opozita dhe PD në veçanti pa më të voglin dyshim ka humbur një betejë me veten dhe modelin që ka përcjellë në këto vite: mbështetjen e qytetarit.

Ndërkohë duke ju rikthyer kushtit të demokratëve sipas të cilit nuk do të ketë zgjedhje me Ramën kryeministër dhe Tahirin ministër të Brendshëm, vihet re se ka ende shumë dyshime se si do arrihet kjo. I pyetur shpesh lidhur me këtë kërkesë, lidershipi demokrat ka bërë të ditur se mënyrat janë nga më të ndryshmet, por duke mos qartësuar se si do kryhet një gjë e tillë. Kjo gjë vështirësohet edhe më shumë kur mendon se objektivi është të largosh para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare, kryeministrin i cili as ka ndërmend të lëvizë nga kolltuku që priti për 8 vite trazuese opozitare për ta marrë. Përtej strategjive partiake, të cilat shpeshherë nuk bëhen publike, një çështje e tillë e ka të domosdoshme mbështetjen qytetare, si atë partiake ashtu edhe atë civile. Në këto kushte, PD dhe opozita nuk mund të mos jenë të prerë në vendimmarrjen e tyre për sa kohë që edhe zgjidhja e çështjes do kohën e saj të realizohet. Aq më tepër që koha e zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme po afron gjithnjë e më shumë dhe strategjia e opozitës për të mundësuar një qeveri teknike apo edhe vetëm largimin e kryeministrit e ministrit të Brendshëm duhet të hidhet në publik sa më shpejt për të mundësuar impakt sa më të gjerë.

Pak ditë më parë nënkryetari i PD-së Edmond Spaho përmes një interviste për “standard” bëri të ditur për herë të parë se një ndër zgjidhjet që po mendon PD dhe opozita është edhe largimi nga Parlamenti. Këtë qëndrim e cilësoi si alternativë të demokratëve edhe vetë Lulzim Basha dje pas mbledhjes së grupit. Por në kushtet kur afatet kohore “shtrydhin”, opozita nuk ka më kohën e shqyrtimeve apo diskutimeve të tejzgjatura për vendimmarrje, por duhet që sa më parë të vendosë se cila do jetë kundërpërgjigja e saj në prag betejën e zgjedhjeve të 2017-ës. Nëse demokratët kanë vendosur të braktisin parlamentin si një zgjidhje të fundme për të realizuar kërkesat e tyre për zgjedhjet e ardhshme, këtë nuk duhet ta thonë nën zë apo si alternativë të mundshme. Kjo alternativë duhet thënë sa më parë publikisht me zë të lartë, edhe për ti paraprirë çdo lloj përgatitje plani nga pala tjetër e cila medoemos ka në sirtar strategjitë e saj për të marrë edhe një tjetër mandat 4-vjeçar.

Ndërkohë nëse demokratët kanë menduar që një tjetër zgjidhje e mundshme për të arritur kërkesat e tyre mund të jetë ajo me protestat popullore, sërish është koha që kjo zgjidhje të bëhet publike sa më parë. Parapërgatitja e qytetarëve, angazhimi i strukturave si edhe “emblemat” e aksionit duan kohën e tyre e ndërkohë që koha nuk duket se është në favor të opozitës kur edhe kërkesa e saj ka vështirësi të mëdha për tu realizuar. Nëse në rastin e dekriminalizimit apo edhe të reformës në drejtësi shanset që PD të arrinte atë që arriti ishin 40 me 60, në këtë betejë maksimumi raportet arrijnë në 30 me 70. Shkalla e vështirësisë së largimit të një kryeministri, ministri të brendshëm apo edhe të një qeverie para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare është shumë e madhe. Prandaj edhe bërja publike e alternativës, strategjisë, apo aksionit që do të ndërmerret për ta bërë të mundur këtë zgjidhje do të duhet të kryhet sa më shpejt.

Ingranazhet e PD

Por përtej vendimmarrjes sa i përket aksionit politik, PD duhet të marrë masa të domosdoshme  dhe të shpejta edhe për rikompozimin e saj. Në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës, PD krahas alternativës qeverisëse duhet të paraqesë në elektorat një ekip me vlera, kontribute dhe të “pa lyer”.  Ky aksion i brendshëm duhet të vijë si një vendim i natyrshëm që mundohet të ringrejë partinë e ta risjellë atë në pushtet dhe jo si një politikë e “kokave të prera”. Sigurisht që para zgjedhjeve, partitë gjithnjë kanë menduar të sjellin risi me ekipin që përfaqësohen në elektorat, duke larguar jo pak anëtarë të tyre, duke rikthyer emra kontributorë që kanë ikur për arsye të ndryshme apo edhe duke afruar emra të rinj nga fusha akademike, intelektuale si edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ky proces i natyrshëm dhe i domosdoshëm duket se ka rëndësi të ndërmerret në PD, muaj para zhvillimit të zgjedhjeve.

Shumë prej emrave që në këto tre vite opozitarizëm kanë ngrohur karriget e tyre në parlament, njësi të ndryshme apo bazë, pa dhënë asnjë kontribut në betejën kundrejt mazhorancës  qeverisëse, pa asnjë mëdyshje dhe brejtje ndërgjegje nuk duhet të jenë më pjesë e ekipit të 2017-ës. Shumë prej atyre që shpeshherë nuk kanë nguruar të luajnë edhe lojën e kundërshtarit politik, nuk ka se si të jenë më pjesë e një ekipi që po konkurron përballë shqiptarëve për të qenë alternativë ndryshe e asaj mazhorance që qeverisi në këto vite.  Shumë prej atyre që luajtën rolin e “fasadës” përballë kundërshtarëve dhe të “zë-ngriturit” në parti duhet me patjetër që ti rishikohet kontributi dhe rëndësia që kanë në kuadër të elektoratit.  Dhe në këtë proces do jetë shumë e rëndësishme që vendimmarrja e lidershipit dhe forumit kryesues të partisë të jetë objektive, larg interesave afatshkurtra dhe mbi të gjitha duke dëgjuar zërin e bazës. Ankesat dhe kritikat nga baza për mungesë kontributi për përfaqësues të PD-së, si në qendër ashtu edhe në njësi, nuk kanë munguar. Marrja parasysh e këtij mendimi do jetë një plus më shumë në vendimmarrjen e strukturave drejtuese të partisë.

Më rëndësi parësore në PD do jetë këto kohë edhe afrimi i figurave të reja, përtej atyre që në këto vite janë cilësuar si “new-entry”. Ajo që duhet pranuar në këtë diskutim është se një pjesë jo e vogël e të afruarve të rinj nuk ka dhënë në PD atë kontribut që pritej prej tyre. Ndonëse shumë prej afrimeve të këtyre 3 viteve janë përfshirë me role të rëndësishme brenda partisë, mbetet fakt se ajo çka kjo “frymë e re” i ka dhënë partisë ka qenë në shumicën e rasteve më pak se ajo çka partia i ka siguruar atyre. Në këtë kuadër, afrimet e reja në parti kanë rëndësi parësore të përqendrohen tek figurat me integritet të lartë në shoqëri, tek ata njerëz të cilët shihen si më të vlerësuarit në komunitet. Po ashtu në këtë proces do të jetë e rëndësishme një ndërthurje mes atyre që cilësohen si “tradicionalë” në parti dhe emrave të rinj, duke mundësuar balancat e duhura mes brezave.