“Një grua mes 50 burrave” / Kryeministri Rama: S’do ketë lista 100% të hapura nëse s’ka barazi gjinore

07.09.2020 18:18:10

Në fjalën e parë të dhënë për sesionin e ri parlamentar, kryeministri Edi Rama foli që në fillim për hapjen e listave 100%.

Ai tha se nuk do të ketë lista të hapura 100% nëse nuk do të ketë barazi gjinore.

“Po nëse nuk garantojmë barazinë gjinore nuk do kemi lista të hapura 100%. Listat ku gjendet një grua mes 50 burrave nuk do pritet mirë nga ne. Prandaj bashkarisht do gjejmë një rrugë,” tha Rama.

“Data 25 prill është data e zgjedhjeve, pa humbur asnjë minutë, bashkarisht duhet të hedhim në letër ato që do të jenë reflektimet e ndryshimeve që bëmë para kësaj ndërprerjeje në Kodin Zgjedhor.

Besoj që nuk ka kohë për të humbur, duhet të punojmë intensivisht me të gjitha fuqitë dhe të gjithë ekspertët për të garantuar zbatimin e ndryshimeve të bëra bashkarisht. Nga një anë për mekanizmin e listave të hapura, ku duhet të diskutojmë dhe të gjejmë rrugën e duhur me një konsensus të plotë dhe me opozitën jashtë parlamentare.

Nuk mund të jetë një proces i tejzgjatur. Ne kemi atë shqetësim që kemi pasur që ditën e parë, lidhur me kërkesën , është garantimi i ekuilibrit gjinor të listave. Nëse kjo bëhet me mekanizëm të besueshëm, për ne nuk ka asnjë problem. Po nëse nuk garantojmë barazinë gjinore nuk do kemi lista të hapura 100%. Listat ku gjendet një grua mes 50 burrave nuk do pritet mirë nga ne. Prandaj bashkarisht do gjejmë një rrugë,” tha Rama.