Një i vdekur, katër të lënduar në një aksident në qendër të Prishtinës

15.01.2018 11:49:08

Rreth orës 02:00 të mëngjesit të ditës së sotme një person ka humbur jetën në një aksident që ka ndodhur në udhëkryqin te Mensa e Studentëve.

Si pasojë e këtij aksidenti katër të tjerë kanë mbetur të lënduar.

“Rreth orës 02:00 në kryqëzimin e rrugëve “Agim Ramadani” dhe “Eqrem Qabej”, një burrë i lindur në vitin 1979 ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti mes dy veturave”, ka thënë zëdhënësja e policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Katër persona të tjerë kanë mbetur të lënduar, të cilët pas trajtimit mjekësor janë liruar për në shtëpi”, ka shtuar ajo.

“Personi që dyshohet se ka shkaktuar këtë aksident është arrestuar nga policia”, ka pohuar Ahmeti më tej.