Një shqiptar i vdekur dhe shtatë të plagosur në termetin në Itali

25.08.2016 10:04:57

Një shtetas shqiptar ka mbetur i vdekur nga vala e tërmeteve që kanë prekur Italinë qendrore mëngjesin e sotëm. Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar se deri tani është një shtetas shqiptar që ka humbur jetën, Erjon Toro, ndërsa numri i të plagosurve ka shkuar në 7, ku shtetasja me inicialet E.T, ndodhet në gjendje në rëndë në spitalin e “L.Aquila”-s.

“Në vijim të ndjekjes së situatës emergjente nga Ambasadorja dhe stafi i Ambasadës që ndodhet në zonat e goditura nga tërmeti, informohemi se: Me trishtim të thelle mësojmë se shtetasi shqiptar Erjon Toro ka humbur jetën dhe numri total i shtetasve shqiptar të plagosur arrin në shtatë vetë. Nga kontaktet qe Ambasada jonë në Rome po mban në mënyrë të vazhdueshme me autoritetet italiane dhe shtabet e krizës, bëhet e ditur se në spitalin ‘Gemelli’ të Romës ndodhen në gjendje të mire shëndetësore shtetasit shqiptar të mëposhtëm:

Xhesika Hasani

Sara Hasani

Romina Duro

Lori Duro

Hatixhe Hasanaj

Në spitalin e Rietit ndodhet jashtë rrezikut për jetën shtetasja shqiptare me inicialet:  Xh.T Në spitalin e L.Aquila ndodhet në një gjendje më të rëndë shtetasja shqiptare me inicialet: E.T”, – thuhet në deklaratën e MPJ-së.

Ministria e Punëve të Jashtme i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së viktimës dhe uron në shërimin e shpejtë të të plagosurve. Ambasada e Republikës se Shqipërisë në Romë është e angazhuar për të ndjekur hap pas hapi në terren si dhe në koordinim të plotë me autoritetet italiane dhe për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë të plagosur.