Tenderi ‘Top Sekret’ i Komunës së Prishtinës

25.08.2016 10:04:27

Para pak ditëve, kryetari i Komunës së Shpend Ahmeti deklaroi se “menjëherë pasi e ka aprovuar Kuvendi i Kosovës garancionin për kredinë e autobusëve në Prishtinë, është shpallur edhe fituesi i tenderit”.

Ai ka thënë  se Komuna po pret që fituesi ta dërgojë garancionin bankar dhe deri në fund të gushtit do të nënshkruhet kontrata.

Megjithëkëtë, zyrtarët komunalë, të kontaktuar nga lajmi.net, kanë hezituar të tregojnë emrin e fituesit dhe çfarëdo informacioni që ka të bëjë me këtë tender.

Madje, emri i fituesit nuk është bërë publik as në ueb-faqen e Komunës së Prishtinës, apo në ueb faqen e prokurimit të BERZH-it,  (www.ebrd.com) e cila është kredidhënës për këtë projekt.

Në këtë ueb-faqe janë publikuar vetëm të dhënat e ofertuesve të cilët kanë qenë katër e ato janë: -Kompania me çmimin më të lirë është kompania “City Transport Group LTD, me ofertën prej 4 milionë e 800 mijë euro”.

-Si kompania e cila ka ofertuar me çmimin e dytë më të ulët është kompania “Albimi Higer”, me 4 milionë e 900 mijë euro.

-Ofertuesi me çmimin më të lartë është “Solaris Bus & Coaxh S. A.”, me 6 milion e 600 mijë euro.

-Kompania e katërt ofertuese është “Iveco Czech Republic, a.s.”, me vlerë prej 5 milion e 922 mijë euro.

Në komisionin vlerësues kanë marrë pjesë, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, si kryesues i komisionit. Pastaj nga Komuna anëtarë kanë qenë Hebim Qorraj dhe Zeke Bardhaj, Kujtim Berbatovci nga “Trafiku Urban” si dhe  Agim Dedaj nga “Solaris Bus&Coach S.A”.

Në ueb faqen e Komunës së Prishtinës në vitin e kaluar ishte publikuar ftesa për ofertim për “Blerjen e 30 autobusëve dizel me hyrje të ulët në përputhje me standardin EURO-VI”

“Komuna e Prishtinës tash e tutje e quajtur si “Blerësi”, ka për qëllim të përdorë pjesën e një huaje nga  Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (e quajtur prej këtu Banka), ndaj kostos se Projektit Transporti Urban i Prishtinës”, shkruante në njoftimin e konkursit.

“Blerësi tani bën ftesë për tender të mbyllur nga Furnizuesit për kontratën në vijim e cila do të financohet nga pjesë të huasë: Furnizimi me Autobusë Dizel i cili përfshin prokurimin e 30 autobusëve dizel me hyrje të ultë dhe në përputhje me standardin EURO VI, si edhe pjesët rezervë të detyrueshme dhe pjesët e materialit harxhues, me dorëzim opcional të 21 autobusëve tjerë shtesë me hyrje të ulët dhe sipas standardit EURO VI së bashku me pjesë rezervë të detyrueshme dhe të pjesëve të materialit harxhues”.

Tenderimi për kontratë e cila do të financohen me huanë nga Banka është i hapur ndaj firmave të cilit do vend, kurse si person kontaktues ishte nënshkruar nënkryetari i Komunës, Dardan Sejdiu

Ndonëse, tenderi është hapur sipas rregullave të Bashkimit Evropian, opozita komunale kishte ngritur shqetësime për pjesëmarrjen e nënkryetarit të komunës në komisionin vlerësues, duke e quajtur ketë rast si të pa precedentë.

Ne rastet tjera, tenderi udhëhiqet nga kredimarresi (përfituesi), e qe ne këtë rast është ‘Trafiku Urban’. Prandaj, është sekrete se ne cilin ligj janë bazuar kur Komuna ka organizuar këtë tender për subjektin tjetër juridik për çka edhe opozita ka ngritur shqetësimet e veta.