Njëzet e tetë vjet nga Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990

02.07.2018 21:37:07

Akt historik, pikënisje për pavarësimin e Kosovës, por….si jetojnë ish-delegatët?! Dhe si jetojnë tash deputetët dhe qeveritarët?!

Nga Jusuf M. Bytyçi

Derisa politikanët e pas luftës e të sotëm, edhe ata që janë në opozitë, për pak vite, janë bërë super të pasur e milionerë, dhe prapë po i dyfishojnë pagat e tyre, shumica e familjeve të ish-delegatëve, përballen me kushte të rënda ekzistenciale dhe jo pak sish, tashmë janë “përshëndetur” nga kjo botë! Jusuf Bytyçi Prishtinë, 2 korrik Pikërisht sot 28 vjet më parë, ish-delegatët e Kuvendit të Kosovës, patën miratuar Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, e njohur si Deklarata e 2 Korrikut. Me këtë deklaratë, Kosova ishte shpallur njësi e veçantë, në kuadër të ish-federatës jugosllave. Deklarata e 2 Korrikut 1990, e shpallur përmes Deklaratës Kushtetuese, ishte nënshkruar prej 114 delegatëve nga shumica shqiptare dhe pakicat boshnjake e turke. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990, e vlerësuar si akt historik dhe që do të shënojë hapin historik institucional të Pavarësimit të Kosovës, u zhvillua jashtë objektit të Kuvendit në kushte të shtetrrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake të Serbisë dhe të ish-Federatës Jugosllave. Ish-delegatët shqiptarë, boshnjakë dhe turq, nuk ishin lejuar të hynin brenda në sallën e Kuvendit të Kosovës, ndërsa ndaj tyre dhe përkrahësve të tyre që po kërkonin avancimin e statusit politik-juridik dhe kushtetues të Kosovës, pushteti serbo-jugosllav me aparatin represiv serb manifestoi trysni dhe dhunë të ashpër. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme socialiste në federatën jugosllave. Gjatë viteve të para të pas luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, politikanët dhe pushtetarët shqiptarë, të të gjitha subjekteve, kush më shumë dhe kush më pak, kanë përmendur 2 korrikun e vitit 1990 si datë historike, por edhe e neglizhonin rëndësinë e kësaj Deklarate. Kishte të atillë të cilët këtë datë, edhe e injoronin krejt, duke vlerësuar se krejt të arriturat janë në luftën e viteve 1998-1999. Por, duke pasur parasysh faktin e domosdosë së sigurimit të përkrahësve (votave) edhe nga gjeneratat e moshuara, nga përpjekjet e tyre deri në fazën e luftës për Liri, kanë ndryshuar edhe deklarimet dhe vlerësimet politke dhe institucionale për 2 korrikun dhe për datat pasuese para arritjes së Lirisë më 1999. Duke folur për këtë datë historike, të hënën kreu aktul i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, ka thënë se “akti juaj madhor i parapriu proceseve të tjera të rëndësishme në vitet në vijim: rezistencës paqësore dhe luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kulmoi me çlirimin e Kosovës dhe vite më vonë me shpalljen e pavarësisë së saj”. Në përvjetorin e 28-të kësaj date, kryekuvendari Veseli ka pritur në takim disa nga ish-delegatët që nënshkruan deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990. Duke i uruar delegatët për këtë ditë të rëndësishme, Veseli ka çmuar lart kontributin e tyre në kohë dhe rrethana të vështira. Ndërsa Iljaz Ramajli, udhëheqës i delegacionit të delegatëve, duke e falënderuar kryekuvendarin Kadri Veseli për pritjen tashmë tradicionale për ish-ligjvënësit e Kosovës, e ka vlerësuar këtë si një mesazh të përkujdesjes dhe vlerësimit të kontributit të brezave për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Deklarata e 2 korrikut vuri bazat për shpalljen e Pavarësisë, është shpreur të hënën e 28 vjetorit të kësaj ngjarje, Kryeministri Ramush Haradinaj. “Ju jeni historia e gjallë, e vërteta e rrugëtimit tonë. Deklarata e 2 Korrikut, shpallja e vizionit tonë për mëvetësi të asaj kohe ka qenë akt i çmuar, akt themel, nga i cili ka pasuar konfirmimi me Kushtetutën e Kaçanikut dhe përpjekjet e vazhdueshme të rezistencës së mëtejme politike e paqësore, deri te ajo luftarake për të ardhur te 17 shkurti 2008”, ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës. Haradinaj këtë e ka thënë pas takimit me një grup të ish-delegatëve që nënshkruan Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut. Ai madje u ka premtuar mbështetje ish-delegatëve, të kryesar nga nënkryetari Ilaz Ramajli, nëse kalon iniciativa ligjore. Do të mbështesim statusin e delegatëve të Kuvendit të atëhershëm nëse iniciativa ligjore kalon në Parlament, është shprehur R. Haradinaj, duke e vlerësuar këtë si një kosto modeste, pa ngarkesë financiare. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme socialiste në federatën jugosllave. “Dy korriku i vitit 1990 mbetet ndër datat më të rëndësishme në historinë e Kosovës”, ka vlerësuar ndërkohë zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh kryetar i Nisma Social Demokrate. Kjo deklaratë i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut dhe ngjarjeve tjera të mëdha të cilat çuan në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës”, ka thënë Limaj. Në përvjetorin e 28-të të kësaj Deklarate, ai ka shprehur respekt për veprën dhe sakrificën e ish-delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, të cilët në rrethana të jashtëzakonshme legjitimuan vullnetin e qytetarëve të Kosovës për liri dhe Pavarësi. Deklarata 2 Korrikut e vitit 1990, është datë historike dhe pikënisje për pavarësimin e Kosovës, kanë vlerësuar autoritetet e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Njëzet e tetë vjet më parë filloi formësimi i shtetësisë së Kosovës, me ç’rast deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, e njohur si Deklarata e 2 Korrikut”, janë shpreur të hënën zyrtarët e LDK-së. Në këtë subjekt, kanë përmendur organizimin e lëvizjes politike mbarëpopullore. “Lidhja Demokratike e Kosovës, nën udhëheqjen e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, filloi të realizohej vizioni i qytetarëve të Kosovës, për shtet të lirë, të pavarur dhe demokratik”, kanë vlerësuar krerët e LDK-së. Në këtë subjekt, nuk harrojnë të shprehin mirënjohjen e përhershme për ish-deputetët që ndërmorën hapa të tillë dhe shënuan ngjarjen më të rëndësishme për shtetin tonë, pikënisjen për pavarësimin e Kosovës. Deklarata e 2 korrikut 1990, ishte kulmi i atikulimit të ndjenjës së lirisë, pati vlerësuar ndërkaq profesor Fatmir Sejdiu, ish-president i Republikës së Kosovës. Ish-presidenti Fatmir Sejdiu në një ceremoni të organizuar më 2010 në Kuvendin e Kosovës, ish-delegatëve që shpallën Deklaratën Kushtetuese për Pavarësisë e Kosovës më 2 korrik të vitit 1990 dhe që miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik, ua pati ndarë dekoratat “Medalja e Artë të Pavarësisë” me të cilën ata i kishte dekoruar Presidenti Ibarahim Rugova më 2 korrik 2004. Do kujtuar me këtë rast se pjesë e Kuvendit që shpalli Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, më 2 korrik 1990 ishin edhe tre delegatë nga komuna e Malishevës, respektivisht Xhemajli Bajra (Panorc), Halit Kryeziu (Bubavec) dhe Selim Krasniqi, (Terpezë), të tre tash të ndjerë. Të tre po ashtu ishin edhe ndër akterët që shpallën edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovvs në Kaçanik, më 7 shtator 1990. Pavarësisht nga veprimtaria e tyre e gjatë dhe e rëndësisë historike, asnjëri nga ish-delegatët, as ish-nënkryetari Iljaz Ramajli, nuk kemi dëgjuar të ishin bërë nga politikanë-përfaqësues në të pasur apo milionerë. Familjet e shumicës së ish-delegatëve, pos me kërcënimet dhe trysnitë e aparatit reperesiv serb, janë ballafaqur edhe me kushte goxha të rënda ekzistenciale. Jo pak sish, tashmë janë “përshëndetur” nga kjo botë, fare pa e realizuar një kompensim sado modest nga shteti për kontributin dhe sakrificën e tyre në kohë dhe rrethana të jashtëzakonshme! E politikanët e pas luftës e të sotëm, edhe ata që janë në opozitë, për pak vite, janë bërë super të pasur e milionerë! Ata edhe po i dyfishojnë pagat e tyre, në kohën që qindra e mijëra kuadro të përgatirur për tregun e punës, nuk arrijnë të gjejnë asnjë mundësi për punë e pagë minimale.

Legjenda: Foto 1 dhe 2. Ish delegatët më 1990 dhe sot 2018