Njihuni me shqiptaren që synon të jetë pjesë e Kuvendit Komunal të Roeselare në Belgjikë

04.01.2018 14:11:11

Shumë shqiptarë të cilët migruan drejt shteteve të ndryshme të Bashkimit Evropian gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë, kanë korrur suksese në fusha të ndryshme.

Madje, disa prej tyre kanë arritur që të ndryshojnë edhe bindjet e atyre vendeve për shqiptarët dhe Kosovën, falë punës dhe angazhimit të tyre.

I tillë është rasti edhe i Deniza Miftarit nga Gjilani, e cila si 3-vjeçare bashkë me prindërit e saj ia kishin mësyrë Belgjikës si refugjatë.

Ajo tregon për “Zërin”, se si ka arritur që të ndërroj bindjen e shumë qytetarëve të Belgjikës për shqiptarët dhe Kosovën, falë vullnetit të saj për këtë problem.

Ndonëse vetëm 22-vjeçare, Deniza po synon të bëhet pjesë e Kuvendit Komunal të Roeselare, qytetit ku edhe jeton që prej se kishin migruar në Belgjikë.

Si studente e shkencave sociale, Deniza prej vitesh ishte marrë me aktivitete të ndryshme të cilat kishin për qëllim mbrojtjen e të drejtave të njeriut, vetëdijesimin për emigrantë, por edhe mbrojtjen e ambientit.

Falë këtyre angazhimeve të saja si pjesë e shoqërisë civile, ajo arriti që të tërheq vëmendjen e Partisë së Gjelbër në Belgjikë, parti kjo e cila është edhe pjesë e Qeverisë belge.

Deviza rrëfen për “Zërin”, se fillimet e saj dhe të familjes ishin mjaftë të vështira në Belgjikë, duke u nisur nga fakti, që siç shprehet ajo, populli belg vuan nga paragjykimi për të huajt apo emigrantët.

Image

“Në krahasim si i presin refugjatët e tashëm, neve na kanë pritur shumë mirë, sepse kemi qenë grup i vogël kështu që edhe na kanë pas nën kontroll. Tash bëhet fjalë për një grup shumë më të madh se që kemi qenë ne shqiptarët më 1998. Ka pas njerëz që kanë pas paragjykime po ata ekzistojnë edhe sot. Kanë pas frikë që ne kemi ardhur me përfitua nga shteti dhe kjo mosdije natyrisht që ka efekt edhe në sjelljen e tyre ndaj neve. Pak a shumë frikësohen prej neve sepse kur bëhet fjalë për t’huajt në media shpesh bëhet fjalë për kriminelë. Fati i familjes time është që ne nuk dukemi si me qenë të huaj. Për atë arsye janë sjell me neve siç janë sjell me vendasit belg dhe kemi pas shumë përparësi gjithmonë. Na kanë pranuar në shoqërinë belge pa problem.  Shumë herë nuk më besojnë kur ju tregoj që nuk jam e lindur në Belgjikë. Ka familje të cilët kanë pas të bëjnë me racizëm dhe diskriminim në mënyrë ekstreme përderisa as punë nuk mundeshin me gjet. Shkaku që në Belgjikë ka shumë nacionalitete të ndryshme në përgjithësi ka shumë paragjykime për ata që kanë kulturë të ndryshme. Nuk kanë të gjithë eksperiencë të mirë me të huajt kështu që në njëfarë mënyre është e kuptueshme. Për atë arsye e kam ndjerë përgjegjësinë me pastrua emrin e disa shqiptarëve që kanë bërë gabime këtu”, ka treguar Deniza për “Zërin”.

Pas angazhimit të saj në luftimin e të drejtave të njeriut, mbrojtjen e ambientit, të drejtat e emigrantëve, përfaqësuesit e partisë duke e parë, vendosën që Deniza të jetë kandidate për asamble komunale në Roeselare.

Image

Ajo thotë se qysh në muajin shtator të vitit të kaluar i është bashkuar Partisë së Gjelbër në Belgjikë me të vetmin qëllim, të jetë zëri i shqiptarëve dhe të gjithë emigrantëve.

“Kam marrë mbështetje mjaft të madhe nga shqiptar që njoh personalisht, po edhe nga shqiptarët që përmes rrjeteve sociale e kanë shpreh mbështetjen e tyre dhe krenarinë që një shqiptar ka arrit deri këtu. Ne Kuvendin komunal të qytetit tonë për momentin nuk ka persona të huaj, d.m.th s’ka as shqiptar”, ka treguar Miftari, e cila thotë se nëse arrin të zgjidhet asambliste ajo automatikisht bëhet edhe nënkryetarja e dytë e Partisë së Gjelbër.

Ajo thotë se, jo vetëm për shqiptarët por për të gjitha komunitetet që jetojnë në Belgjikë, e sidomos në Roeselare.

“Dua të jem një shembull për të gjithë ata që vinë nga larg dhe që jetojnë në vend të huaj që munden mi realizua ëndrrat e tyre dhe të arrijnë aty ku dëshirojnë. Normalisht kjo vlen sidomos për rininë shqiptare sepse kemi shumë talente dhe kapacitete të cilat duhet t’i shfrytëzojnë. Shpeshherë mendojnë që ne jemi të paaftë sepse nuk jemi të lindur këtu dhe për këtë arsye është detyra jonë me vërtetua të kundërtën.  Ksenofobia është ende reale sepse mediat gjithmonë na portretizojnë neve të huajt, si kriminelë, dembelë dhe përfitues. Këto janë qëllimet e mia më të mëdha dhe padyshim edhe mbrojtja e ambientit. Në partinë tonë e kemi mbrojtjen e ambientit prioritet, sepse ngrohja globale është një fakt. Është me rëndësi me intervenua aty ku planeti jonë është duke u dëmtuar më së shumti, p.sh ndotja e oqeanit me materiale plastike. Duke prezantuar alternativa të ndryshme, ne duam që të risim vetëdijesimin e popullit”, ka treguar Deniza Miftari për “Zërin”.

Image

Miftari po ashtu ka treguar se synimi i saj është që të krijojë një qendër për refugjatët në të cilën refugjatët do të mund të marrin mbështetjen e duhur, pasi që sipas saj, edhe pse Belgjika është “shtëpia” e politikës Evropiane, sipas saj, ky shtet nuk mbështet aq sa duhet normat Evropiane për refugjatët.

“Belgjika nuk i mbështet refugjatët aq sa duhet sipas normave të Evropës. Aty duhet të bëjmë presion dhe të hapim qendra të ndryshme në të cilat do të mund të marrin mbështetjen e duhur refugjatët, por që nëse realizohet kjo gjë, do të ishte hapi më i madh i popullit të Belgjikës, pasi që problemi është sidomos racizmi dhe mosdija. Aspak nuk merakosem me kritiku një person që është duke e keqpërdorur fuqinë e titullit të vet. Padyshim që refugjatët janë një pikë e dobët e imja dhe më shumë fëmijët e tyre. Duhet me pas mundësinë me mësua gjuhën Holandeze apo Franceze që mos me hup shumë kohë në shkollë. Shumica prej tyre kanë ëndrra të studiojnë dhe ne e kemi përgjegjësinë me ua ofrua këtë mundësi. Këto janë  të drejtat e njeriut”, ka treguar Miftari për “Zërin”, e cila shtoi se, asnjë parti nuk duhet të ushqejë urrejtje tek populli për emigrantët, gjë që sipas saj, një gjë të tillë po e bëjnë partitë nacionaliste.

Image

Madje, Miftari thotë se edhe vet sekretari i qendrës së Azilit dhe Migrimit, Theo Francken, është njëri prej personave që sipas saj, nuk e meriton të jetë në atë post, pasi që ai nuk i përkrah emigrantët apo siç shprehet ajo, të huajt që vinë në Belgjikë.

“Partitë nacionaliste iu ushqejnë frikën e atyre që nuk i duan të huajt kështu që sipas meje ajo është hapi i parë që duhet bërë ne si politikan, pra t’i largojmë këto paragjykime”, deklaroi Miftari për “Zërin”.

Ndryshe zgjedhjet komunale në Belgjikë do të mbahen në tetor të këtij viti.

Image