Njohësit e çështjeve të sigurisë: Kosovarët të vetëdijshëm se për çka luftohet në Siri e Irak

03.12.2016 22:10:33

Mentor Vrajolli, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se të dhënat nga terreni tregojnë se te qytetarët e Kosovës është ngritur vetëdija lidhur me grupimet ekstreme dhe terroriste që veprojnë në konfliktet në Siri dhe Irak.

“Qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm që grupet si ISIS-i, janë pa kurrfarë dyshimi organizata terroriste brutale, të cilat keqpërdorin religjionin për të kryer krime absurde ndaj të gjithë atyre që nuk i nënshtrohen botëkuptimeve të këtij grupimi. Pra, qytetarët e Kosovës, tashmë janë të vetëdijshëm se lufta në Siri dhe Irak nuk bëhet për t’u dalë krah qytetarëve të pambrojtur. Andaj, si rezultat, edhe interesimi i qytetarëve të Kosovës për t’iu bashkangjitur këtyre grupeve, ka rënë në mënyrë drastike”, thotë Vrajolli.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Burim Ramadani, profesor i Sigurisë Kombëtare në Kolegjin ISPE, thotë për Radion Evropa e Lirë, thotë se në rënien e numrit të personave nga Kosova që u bashkohen luftërave të huaja, kanë dhënë efekte tri nivele.

“Së pari, institucionet e Kosovës dhe shoqëria e Kosovës në përgjithësi, e ka trajtuar më seriozisht këtë çështje. Së dyti, është rritur bashkëpunimi me shtetet e ndryshme dhe bashkëpunimi ndërkombëtar edhe për këtë çështje. Së treti, trendi global i njerëzve që i bashkohen konfliktit në territor të Sirisë dhe Irakut është në rënie dhe kjo ka reflektuar, normalisht, edhe në Kosovë, por edhe në Ballkan”, shpjegon Ramadani.

Shtetasit e Kosovës, të cilët janë parandaluar të shkojnë në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak, deri vonë kanë shfrytëzuar, siç thuhet, rrugët ajrore dhe ata janë ndaluar në aeroporte. Rrugët e tilla, tashmë janë bërë të pamundura për ta.

Megjithëkëtë, mekanizmat e sigurisë, por edhe njohësit e rrethanave të sigurisë, kanë shfaqur drojën dhe dyshimet se persona të caktuar, eventualisht, i shfrytëzojnë rrugët alternative, tokësore, drejt Shqipërisë dhe Malit të Zi, për të vazhduar më pas drejt Italisë, në mënyrë që të arrijnë në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, Vrajolli vlerëson se ekziston probabiliteti që një gjë e tillë mund të ndodhë.

“Sa i përket rrugëve alternative, mund të them se një gjë e tillë, për momentin, është spekulative. Pra, mundësitë që një gjë e tillë të ndodhë, nuk mund të mohohen, për shkak se janë rrugë dhe gjithsesi probabiliteti mund të jetë se ato mund të përdoren. Në qoftë se edhe nuk janë përdorur, ato mund të përdoren në të ardhmen”, vlerëson Vrajolli.