Nuk jam veteran mashtrues, por luftëtar i faktuar i Lirisë dhe Pavarësisë!

21.09.2018 17:25:51

Nga Jusuf  Bytyçi

(Reagim ndaj dashakeqëve të përpjekjeve, rrugëtimit plot sakrifica dhe procesit degradues të vlerësimit të luftës për liri)

Unë u përulem vetëm atyre që derdhën gjakun në vijat e frontit dhe në përpjekje për liri, por jo askujt tjetër, qofshin ata komandantë apo tash drejtues të institucioneve shtetërore!

Vite më parë, kam shkruar për parregullsitë e shumta në kuadër të procesit të verifikimit të saktë të atyre që ishin pjesë aktive e kontributit dhe luftës së UÇK-së. Duke pasur parasysh zvarritjen e tepruar të ligjit për vlerat e luftës nga të gjitha përbërjet e koalicioneve Qeveritare të pas luftës, si dhe të legjislativit kolorit, pozitë dhe opozitë, por edhe duke parë vrapin e njerëzve jo meritorë për të “dëshmuar trimërinë dhe shkathtësitë” e meritave për liri, po del se kam pasur arsye të shpreh shqetësimin tim për vlerësimin e drejtë të luftës për liri. Kur procesi nis dhe zhvillohet keq, ai edhe mund të degradojë!

Si gazetar i para luftës, reporter i luftës që nga ditët e para dhe deri në përfundimin e saj, dhe si gazetar pas luftës kur Kosova ndërtoi institucionet e saja dhe po vazhdohej me realizimin e Pavarësisë si projekt kombëtar, kam parë se pikërisht matrapazët, të njohur për elasticitet, janë renditur në listat e beneficioneve të institucioneve jo pak të brishta. Dallaveregjinjtë ishin kryesisht ata që nisën të “kullosnin” të mirat e lirisë e të shtetit që po ndërtohej, duke u bërë invalidë edhe pa i prekur kurrë copëz e plumbit apo e granatave të armikut. Ata që në luftë u kyçën pa asnjë hezitim, pa e ditur se do të mbijetonin dhe të gëzojnë privilegjet e shtetit, gjithnjë mbetën të fundit në garën e përfituesve! Ish-luftëtarët pjesëtarë aktivë dhe të mirëfilltë të luftës, për dallim nga dezertorët që uniformën e UÇK-së e patën veshur vetëm për të bërë ndonjë foto, e shihnin dhe e kuptonin se procesi për verifikimin e drejtë të statusit të veteranëve, invalidëve apo të dëshmorëve, do të mund të degradojë nga përfshirja e goxha matrapazëve mashtrues në listat e aplikantëve për të përfituar të mirat e shtetit. Çuditërisht, Komisioni qeveritar dhe bashkëpunëtorët nga terreni, në mesin e mijëra veteranëve të vërtetë, shpallën me emra dhe mbiemra edhe mijëra veteranë mashtrues, edhe invalidë mashtrues, shpallën madje edhe civilët dëshmor kombi. Ky veprim, dëshmoi shqetësimin e arsyeshëm të ish-luftëtarëve të vërtetë. Në listat e para fatkeqësisht dolën shumë nga ata që kishin ikur që në fillim dhe të tjerë që ishin “mobilizuar” në fund të marsit 1999, pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s ndaj caqeve dhe objektivave serbe në Kosovë e në Serbi.

Pavarësisht nga të gjitha marifetllëqet e matrapazllakut, krahas ish-luftëtarëve të vërtetë deri në fund të luftës, nga tetori i vitit 2015, dolën përfitues të pensioneve edhe mijëra mashtrues, të kategorisë së matrapazëve, të lidhjeve me politikën dhe “shkathtësive” ranguese të përfitimeve pa meritë! Një numër i madh i ish-luftëtarëve të vërtetë, u desh që të ridëshmojnë të qenit pjesë aktive e luftës, ani se pa meritë humbën disa muaj të pensioneve. I kësaj kategorie jam edhe unë si gazetar, reporter gjatë gjithë luftës, që nëse jo më shumë se afër 18 apo 19 mijë veteranët e vërtetë, nuk kam bërë më pak se këta. E para, unë kam punuar për çështjen kombëtare që në vitet 1980-ta, e sidomos nga vitet 1988 e 1989. Kundër veprimeve të armikut, okupatorit serb, kam luftuar veçmas nga viti 1990.

Ndërsa tash, në një listë të publikuar të dielën e 16 shtatorit, edhe emir im del të jetë në mesin e mbi 20 mijë mashtruesve! Jo zotëri ish-prokuror Blakaj, jo z. prokuror R. Millaku, jo z. kryeprokuror Lumezi, jo komandantë e ish-komandantë!

Jo, unë nuk e bleva statusin, unë nuk dhash para dhe as nuk qerasa me kafe!

Më njohin mirë dhe i njoh të gjithë ish-komandantët dhe ata që sot e shumë vite drejtojnë institucionet shtetërore të Kosovës. Le ta thonë këta, dhe jo matrapazët politikë e të tjerë, se unë jam mashtrues. Jam me fat që si anëtar i një familje tradicionale atdhedashëse dhe me autoritetet në popull, që goxha moti, pata rastin të kontribuoj për çështjen kombëtare, e në vitet 90-ta edhe për Lirinë dhe Pavarësinë e vendit tim. Qysh më 1990 u bëra pjesë aktive e lëvizjes kombëtare, arsimore, kulturore, politike, humanitare, pajtimtare. Që më 1991, me shokë të tjerë nga komuna e Malishevës, pata rastin të vizitojmë familjen e Shaban, Hamëz dhe Adem Jasharit në Prekaz, për t’u solidarizuar me këtë familje emblematike unikate që kolektivisht u vetëflijua për Lirinë dhe Pavarësinë e vendit. Kam njohur dhe takuar jo njëherë komandantin dhe familjen e tij. Për të gjitha këto udhë, angazhime dhe gjithë këtë sakrificë, normalisht që e pata mbështetjen e familjes, më mbuluan materialisht, në kohët kur unë punoja pa u kompensuar në angazhimet vullnetare.

Për të njoftuar për zhvillimet e përditshme në zonat e luftës, unë kam shpenzuar mjete të konsiderueshme financiare, para që kishin dërguar dy vëllezërit e mi në botën e jashtme. Shtabin lokal të Njësisë së UÇK-së në Shkozë, e themeluam me tre vëllezërit tjerë, Nuhiun, Njaziun e Ragipin, po ashtu veteranë të luftës dhe me kushërinjtë e shumtë. Këtë e bëmë në shtëpinë tonë dhe bashkë me kushërinjtë në lagje e fshat, ku strehuam dhjetëra ish-ushtarë të lokaliteteve tjera, dhe nga komunat tjera të Kosovës.

Unë normaslisht pata edhe armë, sepse puna ime ishte me shumë rreziqe. Për të kontaktuar ushtarët e vijave të frontit jo vetëm nga Brigada 124 e ZOP, unë duhej kaluar kah postoblloqet e forcave serbe. Unë nuk fotografohesha, i njoha dhe më njohin jo vetëm komandantët, por edhe drejtuesit e sotëm të shtetit, presidenti Hashim Thaçi, kryekuvendari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ish-kryekuvendari Jakup Krasniqi e shumë ish-komandantë e ish-zëvendëskomandantë që janë gjallë!

Pata rastin të njihem me ish-komandantët e ZOP, Musa Jasharin, Sylejman Kollçakun, komandant Ekrem Rexhën e komandant Tahir Sinanin, këta dy të fundit, tash të ndjerë. Punova dhe  vrapova në Zonat e luftës bashkë me ish-komandantët e Brigadave 121, 122, 123, 124, ku isha i regjistruar, pra isha reporter i luftës në gjithë Zonën e Pashtrikuit. Fatmirësisht janë gjallë, ish-eprorët e UÇK-së Xhemë Gashi, Mahir Hasanaj, Skënder Hoxha, Gëzim Hazrolli dhe Enver Cikaqi, gjeneralë të FSK, etj.

Jo një vit, por dhjetë vite kam luftuar pandalshëm kundër forcave të okupatorit serb, luftova për Lirinë dhe Pavarësinë që po e gëzojmë. Jo zotërinjë, unë nuk jam mashtrues, unë nuk kurseva asgjë për këtë liri e pavarësi që po e gëzojmë sot unë e familja ime dhe afër 1. 8 milion banorë të Republikës së Kosovës. Ndoshta nuk bëra më shumë se 11 mijë, 13 mijë, 16 mijë, 19 apo 20 mijë veteranë të vërtetë, por as më pak se këta. Një fjalë e urtë popullore thotë : “Nëse është ngrënë pitja, tepsia ka mbetur”! Pra janë faktet për punën, kontributin dhe luftën time për t’a merituar statusin e veteranit të luftës së UÇK-së. Janë mijëra raporte telefonike, të inçizuara në mediat elektronike në Shqipëri TVSH e në botë, VOA, D.Wele, REL, QIK, Kosova e Lirë.

Shumë telefonata, i kam bërë duke shfrytëzuar telefonat në përgjegjësi të ish-komandantëve të Brigadave e ZOP.

Unë u përulem vetëm atyre që derdhën gjakun në vijat e frontit dhe në përpjekje për liri, por jo askujt tjetër, qofshin ata komandantë apo tash drejtues të institucioneve shtetërore!

Ndonëse nuk ndihem i turpëruar, unë, jam i lënduar nga pretendimet tendencioze të ndokujt që edhe mua më renditi në mesin e mashtruesve. Jam i bindur se këtë e bëri dikush për shkak të kundërshtimeve politike. Por absolutisht kurrë, nuk kam heshtur dhe nuk do të hesht kurrë mdaj dukurive negative, ndaj personave të pamoralshëm, të pandërgjegjshëm dhe atyre që shtrembërojnë faktet për luftën.  Guximin e kam shprehur qartë në luftë pavarësisht nga presionet dhe kërcënimet nga kanë buruar!

Të drejtën time, do ta mbrojë kurdoherë, me argumente. Jam i gatshëm dhe mezi pres të ballafaqohem me prokurorinë, prokurorët, Gjyqtarët, apo ish-komandantët tendenciozë!

Shkozë-Malishevë, 21 shtator 2018

Jusuf Malush Bytyçi, 27.06. 1958, veteran luftëtar, nr. Prot. i Cerifikatës, L5/6311, datë 25.01. 2016