Nuk ka më as marrëveshje për takime, pak mundësi për “koalicionin e shpresës”

17.12.2019 21:10:57

Takimet e njëpasnjëshme prodhuan vetëm një rezultat: Marrëveshje për takime të radhës! Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tash e 4 ditë më as që po takohen.

Tani kur po kalon edhe më shumë kohë nga certifikimi i rezultateve dhe po afrohet data e caktuar nga Presidenti Hashim Thaçi për konsituimin e Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës po duken vetëm se kanë larguar qëndrimet, shkruan lajmi.net.

Kur gjithçka dukej e kryer dhe premtohej se 3 ditë pas certifikimit do të arrihej marrëveshja – kjo gjë u bë e pamundur, planprogramet dhe konceptet qeverisëse u harmonizuan – por jo edhe dëshirat për poste ministrore.

Burime të lajmi.net brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë treguar se në takimin e ditës së premte (13.12.2019), gjithçka ishte afër, por pas kësaj dite, pozicionet e të dy partive sa shkojnë e largohen.

“Kur të premten nuk është arritur, tani më nuk shpresojmë. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve të reja, mundësitë për koalicion po zvogëlohen”, ka thënë ky burim për lajmi.net.

Në anën tjetër, nuk kanë munguar as deklaratat kundërdhënëse e akuzat e LVV-së dhe LDK-së ndaj njëra-tjetrës ku të dyja akuzonin se po ngriten barriera të panevojshme.

Posti i Presidentit po del të jetë problemi kyç në diskutimet e të dy partive për formimin e koalicionit. LDK e do menjëherë postin e Presidentit ndërsa Vetëvendosje nuk e do këtë temë në tavolinën e diskutimeve.

Në anën tjetër, sipas burimeve të lajmi.net ka ndodhur edhe një përçarje brenda për brenda LDK-së si shenjë moskënaqësie për ndarjen e posteve ministrore me Lëvizjen Vetëvendosje.

Mundësia për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme nuk është mohuar nga asnjëra nga të dy partitë edhe tani kur kanë mbetur vetëm edhe 9 ditë deri në datën kur Kuvendi i Kosovës do të konstituohet.

Ndërkohë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka hequr dorë nga ideja e tij dhe bashkëpunimi me Nenad Rashiq duke thënë se do të diskutojë me Listën Serbe për t’i ofruar në qeverinë e tij.

Në këto momente kur të dy partitë po qëndrojnë të qeta dhe takimet mes të dy subjekteve kanë ndaluar – duket se vendi po shkon drejt një kaosi të madh politik.

Në anën tjetër, subjektet tjera politike, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Nisma Socialdemokrate kanë deklaruar opozitarizmin qysh në fillim dhe e kanë konfirmuar atë pas certifikimit të rezultateve.

Sipas raportimeve në media, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës përveç postit të presidentit kanë mospajtime edhe në çështje të tjera të cilat nuk janë bërë të ditura për publikun.

Se çfarë do të ndodhë mes këtyre dy subjekteve politike mbetet të shihet – por analistët kanë paraparë një koalicion të dobët dhe pa bashkëpunim mes tyre edhe nëse ndodh.