“Nuk mbështeti gjakderdhjen”/Akademia Suedeze i del në mbrojtje Peter Handkes

17.10.2019 16:40:44

Akademia suedeze i doli në mbrojtje vendimit të saj për t’i dhënë çmimin Nobel për letërsinë për vitin 2019, shkrimtarin austriak Peter Handke. Sipas Akademisë ai ka bërë komente provokuese, por nuk ka mbështetur gjakderdhjen. Vendimi për t’i dhënë Handke çmimin është pritur me kritika, përfshirë këtu edhe nga të mbijetuarit e masakrës së Srebrenicës të vitit 1995 të cilët kanë bërë thirrje që akademia të anulojë vendimin e shpallur javën e kaluar.

Në vitin 2006 Handke kishte mbajtur një fjalim në funeralin e udhëheqësit të ndjerë serb Slobodan Milosevic, i cili vdiq në paraburgim në pritje të procesit gjyqësor në gjykatën e OKB-së për krimet e luftës në Hagë, lidhur me rolin e tij në luftërat në Ballkan në vitet 1990. Peter Handke kishet shprehur gjithashtu mbështetje për udhëheqësit serbë të Bosnjës Radovan Karadzic dhe Ratko Mladic, të cilët u dënuan për genocid si dhe vrasje të më shumë se 8 mijë burrave e djemve myslimanë në enklavën e Srebrenicës të mbrojtur nga OKB.

Në një artikull të botuar të enjten në të përditshmen suedeze, “Dagens Nyheter”, drejtuesi i Akademisë Suedeze Mats Malm pranoi se Handke kishte bërë “komente provokuese, të papërshtatshme e të paqarta”. Por ai tha se autori i “The Goalie’s Anxiety at the Penalty Kick” dhe “Slow Homecoming ” nuk ka mbështetur gjakderdhjen dhe se e kishte dënuar qartë masakrën e Srebrenicës.