Nuk po përballem më me drejtësi, por me organe të ndjekjes, tha Limaj

28.10.2016 22:14:37

Fatmir Limaj, kryetari i Nismës për Kosovën, deklaroi se me ngritjen e sotme të aktakuzës tjetër ndaj tij, ai nuk e konsideron më vetën përballë organeve të drejtësisë.

Ai thotë se me këtë veprim, vetëm më shumë e konsideron si person që përballet me organet e ndjekjes.

Ndaj Limajt, sot Prokuroria Speciale  ngriti akuzë e re për krime lufte, për dy vrasje që kanë ndodhur në tetor të vitit 1998 në Komunën e Malishevës.

Madje ai pretendon se nga  shkresat e lëndës që ka lexuar, për të njëjtën çështje është hetuar tre herë,.

“Në vitin 2000-2001 hetimet janë mbyllur, se nuk ka pasur prova e gjithashtu edhe  në vitin 2002. Ky rast është dërguar edhe në Tribunalin e Hagës dhe ata gjithashtu e kanë mbyllur, se nuk ka pasur prova”, tha Limaj gjatë një interviste në RTK.

Ai më tej shpjegoi se më pas çështjen e ka marrë EULEX-i, i cili gjithashtu e  ka mbyllur, duke pretenduar se hetimet e tashme janë të një niveli më të ultë sesa në kohën e UNMIK-ut.

Sidoqoftë, Limaj deklaroi se  tendenca e Prokurorisë nuk është të zbulojë rastin, por ta ndjekë atë dhe pavarësisht kësaj, energjinë do ta drejtojë në shtetin ligjor.