Numër i madh i policëve edhe sot sigurojnë objektet fetare në Kosovë (Foto)

15.04.2017 18:00:02
Paralajmërimet nga Këshilli i Sigurisë së Lartë në Kosovë se vendi mund të jetë i rrezikuar nga sulmet e mundshme ndaj zyrtarëve të lartë shtetërore, ka bërë që edhe Policia e Kosovës të mobilizohet.

“Pas shqetësimeve të ngritura në opinionin publik, ky këshill informon qytetarët e vendit se institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës kanë zbuluar veprime të disa individëve dhe grupeve të tyre, të lidhura me grupe dhe individë nga vende tjera jashtë Kosovës, të orientuara për destabilizimin e Kosovës dhe për rrezikimin e rendit kushtetues”ishte bërë e ditur në njoftimin e Këshillit të Sigurisë së Lartë.

Si rezultat, edhe sot në kryeqytet janë vërejtur masa të shtuara të Policisë të cilët po patrullojnë rrugëve të qytetit, shkruan lajmi.net

Numër më i madh i policëve shihen pranë objekteve fetare sidomos pranë Katedrales “Shën Tereza” në qendër të qytetit, e cila që nga dje ruhet nga një numër më i madh i njesive policore.

Kjo nga rreziku i mundshëm i kryerjes së ndonjë sulmit terrorist sidomos gjatë vikendit, ku besimtarët e krishterë festojnë Pashkët.

Edhe Ambasada amerikane kishte paralajmëruar qytetarët e saj në Kosovë që të kenë kujdes pasi mund të ketë rreziqe nga sulmet e mundshme.

“Terroristët në rajon më parë kanë pasur caqe objektet e ndjeshme, përfshirë kishat dhe objektet e kulteve tjera, qendrat e këmbësorëve, arenat sportive, sallat e koncerteve dhe tubimet publike. Rishikoni planet tuaja të sigurisë: rrini të vëmendshëm për vendndodhjen tuaj, përfshirë edhe ngjarjet lokale dhe shikoni televizionet për përditësim të lajmeve”, thuhet në këshillën që ambasadat amerikane u kanë shpërndarë qytetarëve amerikanë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Kjo ka bërë që Policia e Kosovës të detyrojë policët që të mbajnë të veshur edhe jelekët anti-plumb, madje duke ndërprerë ditët e pushimit, dhe duke zgjatur orarin deri në 12 orë. /Lajmi.net/