Obama flet nga Athina për fitoren e Trumpit: Amerikanët dëshirojnë t’i trazojnë gjërat

15.11.2016 23:06:37

Nga Athina, ku nisi rrugëtimin e tij të fundit jashtë kufijve si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama paralajmëroi mbi rrezikun e rritjes së një nacionalizmi të vrazhdë tani, pas “Brexit”-it dhe presidencialeve në Amerikë.

Duhet të ruhemi nga tribalizmi i ndërtuar përreth atyre që përkufizohen si “ne” dhe “ata”, – u shpreh shefi i Shtëpisë së Bardhë. Amerika, – tha ai, – e pranon me dhimbje kërcënimin e ndasive në linja racore, fetare apo etnike, ndërsa fitoren e Donald Trumpit ia faturoi “dëshirës së popullit amerikan për t’i trazuar disi gjërat”.

“Një pjesë e këtij rezultati i detyrohet dëshirës së natyrshme për ndryshim, kur ke përballë një njeri që ka qëndruar në pushtet për 8 vite. Në kohë stresi, njerëzit vihen në kërkim të diçkaje, e zakonisht zgjedhin ndryshimin, edhe pse mund të mos jenë plotësisht të sigurtë se çfarë do të sjellë ai”, tha Obama.

Këto komente, Obama i bëri pas takimit me kryeministrin grek Alexis Tsipras në Athinë, ndalesa e parë e turit që do ta çojë atë edhe në Gjermani e Peru. Për presidentin amerikan, vota e Britanisë për shkëputje nga BE-ja dhe rezultati i zgjedhjeve në vendin e tij tregojnë se njerëzit tani janë përgjithësisht më pak të sigurt për identitetet kombëtare dhe vendin e tyre në bote, e kjo sipas Obamës ka prodhuar lëvizje populiste, si nga e majta, ashtu dhe nga e djathta.

Ndërsa shefi i Shtëpisë së Bardhë shprehte sërish çudi për triumfin e Trumpit, ky i fundit deklaroi se po ta kishte zhvilluar ndryshe fushatën, do ta kishte fituar dhe votën popullore.

Në kryeqytetin grek, ndërkohë, njësitë speciale të policisë përdorën gazin lotsjellës mbi protestuesit, që demonstruan vetëm pak kilometra nga rezidenca presidenciale, ku ishte shtruar një banket shtetëror për Barack Obamën. Përleshjet nuk vonuan të shpërthejnë gjatë tubimit, ku morën pjesë rreth 7.000 vetë, mes të cilëve kishte edhe grupe që kundërshtonin politikat amerikane dhe zgjedhjen e Trumpit.